Ushtarët izraelitë vranë dy palestinezë, përfshirë një fëmijë, në qytetet Tulkarem dhe Tubas në veri të Bregut Perëndimor të pushtuar.

Në një deklaratë me shkrim nga Spitali "Sabit" në qytetin Tulkarem thuhet se "21-vjeçari Yusuf Abduddaim, i cili ishte objektivi i plumbave të ushtarëve izraelitë, ra dëshmor".

Sipas informacioneve të marra nga dëshmitarët okularë, ushtarët izraelitë bastisën vendbanimin Zenabe pranë Tulkaremit. Gjatë bastisjes, snajperët u vendosën në çatitë e ndërtesave dhe shumë shtëpi në qytet u kontrolluan.

Abduddaim, student në Fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin Teknik Palestinez Huduri në Tulkarem, humbi jetën si pasojë e zjarrit të hapur nga snajperët izraelitë.

Ushtria izraelite bastisi kampin e refugjatëve Al-Faria, i vendosur pranë qytetit Tubas në Bregun Perëndimor të pushtuar.

Sipas lajmit të agjencisë zyrtare palestineze WAFA, ushtarët izraelitë bastisën shtëpitë e palestinezëve në kampin e refugjatëve Al-Faria. Ushtarët izraelitë përdorën plumba të vërtetë kundër palestinezëve që reaguan ndaj bastisjeve.

15-vjeçari Mahmud Nibrasi u vra dhe 4 të tjerë u plagosën gjatë bastisjes.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e forcave izraelite dhe izraelitëve që uzurpuan tokat palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor që nga 7 tetori 2023 është rritur në 534.

Që nga 7 tetori 2023, kur ushtria izraelite nisi sulmet në Rripin e Gazës, ka patur rritje të arrestimeve, ndalimeve dhe sulmeve kundër palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor./aa