Zvërneci, 14 km larg qytetit të Vlorës, është kthyer vitet e fundit në një ndër pikat turistike më të vizituara.

Pas investimeve të fundit dhe ndërtimit të urës, turistë të shumtë zgjedhin të kalojnë në çdo stinë ditët me diell në ishullin e bukur, brenda Lagunës së Nartës.

Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Shqipëria e bukur” ndau sot në rrjetet sociale pamje nga Zvërneci, duke ftuar turistët ta frekuentojnë atë.

Përveç bukurisë natyrore që Zvërneci ka, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit.

Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit./ata