Volumi i mallrave të transportuara nëpërmjet rrugëve hekurudhore gjatë tremujorit të katërt të vitit që lamë pas arriti 131 mijë ton, duke shënuar ulje me 8.9 %, në krahasim me tremujorin e katërt 2022.

Sipas raportit të publikuar nga INSTAT për transportin hekurudhor, volumi i mallrave të transportuara me hekurudhë në mijë ton për km rezultoi 4.520, duke u ulur me 9.9 %, krahasuar me tremujorin e katërt 2022.

“Qymyri dhe linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror” zënë 98.5 % të mallrave të transportuar me hekurudhë , “metalet bazë; produktet metalike të fabrikuara, përveç makinerive dhe pajisjeve” zënë 0.8 % dhe “produktet metalike të minierave dhe produkte të tjera të guroreve: torfe, uranium dhe torium” zënë 0.7 % të vëllimit.

Të dhënat e INSTAT-it, tregojnë se në tremujorin e katërt 2023, 395 pasagjerë kanë përdorur transportin hekurudhor si mjet udhëtimi, duke shënuar ulje me 16 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Gjatësia e rrjetit hekurudhor në shfrytëzim në vend është 204 km. Në shfrytëzim janë linjat hekurudhore: Kufi – Gjorm 93 km, Durrës – Elbasan 76 km, Fier – Vlorë 35 km. Transporti hekurudhor i mallrave kryhet në distanca 0 – 49 km dhe 50 – 150 km./ata