Në tre muajt e parë të vitit, turistët kanë sjellë në Shqipëri 788 milion euro me rritje 28% rritje nga një vit më parë.
Shifrat nga bilanci i pagesave të Bankës së Shqipërisë tregojnë se vetëm pagesat e bëra për sektorin e shërbimeve kanë sjellë të ardhura më të larta se të turistëve.
Shifrat e ardhura nga bumi turistik vijnë në të njëjtin trend edhe me rritjen e numrit të hyrjeve në Shqipëri. Nga raporti mes numrit të turistëve dhe shpenzimeve të tyre rezultoi se shpenzimi mesatar për person i një të huaji është 513 euro, ndjeshëm më ulët se mesatarja evropiane.
Edhe shpenzimet e shqiptarëve për pushime jashtë shtetit janë rritur, ndërsa në tre muajt e parë janë harxhuar 521 milion euro apo 17% më shumë se një vit më parë.
Nga krahu tjetër në tre muaj erdhën edhe 242 milion euro si remitanca nga emigrantët me rritje 12% nga një vit më parë.
Ndërkohë edhe pse me përmirësim nga të ardhurat e turistëve, llogaria korrente ka regjistruar një vlerë negative nga më të lartat në tre vitet e fundit, që do të thotë se 371 milion euro më shumë dolën jashtë vendit. Kjo si ndikim edhe i uljes së eksportit të mallrave që ka qenë me shifra dyshifrore në këtë fillimvit./Tema