Çmimet i janë rikthyer rritjes në muajin Maj të këtij viti, sipas të dhënave zyrtare nga “Instituti i Statistikave”. Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin që lamë pas është vlerësuar në 2.2%, nga 2.1% që ishte në muajin Prill. Ndërkohë, nga ana tjetër, në Majin e një viti më parë ky ndryshim ishte 4.7%. Gjithsesi, pavarësisht rritjes, inflacioni mbetet poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Maj është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0.69 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.42 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me 0.28 pikë përqindje. Edhe për muajin Maj shohim se grupi “transporti” sërish ka dhënë kontribut pozitiv, ndryshe nga disa muaj më parë.
Krahasuar me muajin Maj të vitit 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” dhe “Argëtim dhe kulturë” me 3.7% secili, “Veshje dhe këpucë” me 3.2%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3.1%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 2.5%, “Hotele, kafene dhe restorante” me 2.4% dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Shërbimi arsimor” me 2.2% secili. Nga ana tjetër, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rrit me 1.9%, “Shëndeti” me 1.7%, “Transporti” me 1.1% dhe “Komunikimi” me 0.1%.
Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” patën një rritje me 4.6%, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 4.1%, “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 3.6%, “sheqer, recel, mjaltë, çokollata dhe mbëlsira” me 2.9% dhe “mish” me 2.3%.
Rikujtojmë se pak kohë më parë institucioni kërkimor “Raiffeisen Research”, i cili ofron një pasqyrë të plotë mbi tendencat aktuale ekonomike, ka treguar përmes një publikimi se beteja e Shqipërisë kundër inflacionit nuk ka përfunduar akoma. Edhe pse inflacioni është në nivelin më të ulët në dy vite, sipas të dhënave të institucionit çmimet pritet të rriten sërish gjatë periudhës së verës, të nxitura kryesisht nga turizmi./Tema