Ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se është kaluar në fazën e dytë të stërvitjes së armëve bërthamore jostrategjike.
Në deklaratën e ministrisë thuhet se faza e dytë e stërvitjes së forcave bërthamore jostrategjike filloi me vendim të presidentit rus, Vladimir Putin. "Gjatë stërvitjes, njësitë e forcave të armatosura të Rusisë dhe Bjellorusisë do të punojnë mbi çështjet e trajnimit të përbashkët për përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike në luftë", thuhet në deklaratë.
"Stërvitja zhvillohet me qëllimin për të siguruar në mënyrë të pakushtëzuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Shtetit Union Rusi-Bjellorusi. Qëllimi është të sigurohet gatishmëria e personelit dhe pajisjeve të njësive në Rusi dhe Bjellorusi për përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike në luftë", theksohet më tej.
Në fazën e parë të stërvitjes, njësitë e raketave në Rajonale Ushtarake Jugore u trajnuan për përdorimin e sistemit raketor operacional-taktik Iskander. Njësitë e Forcave Ajrore dhe Hapësinore Ruse pajisën me armë aviacioni njësitë speciale luftarake, përfshirë raketat hipersonike aeroballistike Kinjal dhe bënë praktikë fluturimi në zonat e përcaktuara të patrullimit.
Më 21 maj, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se ka filluar stërvitje për përdorimin e armëve bërthamore jostrategjike në Rajonin Ushtarak Jugor të vendit.
Ministria tërhoqi vëmendjen se "Stërvitja u organizua me qëllim për të rritur kapacitetin e gatishmërisë së forcave bërthamore ruse dhe për të mbrojtur integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit si përgjigje ndaj deklaratave provokuese të disa zyrtarëve perëndimorë që përmbajnë kërcënime kundër Rusisë".
Vitin e kaluar, Rusia vendosi armë taktike bërthamore në Bjellorusi me arsyetimin se "NATO vendosi armë taktike bërthamore në vende të tjera"./aa