Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në një takim në Prishtinë ndihmës sekretarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof.
Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti shprehu vlerësimin e lartë për marrëdhëniet e fuqishme bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së, si dhe për kontributin e tyre në çlirimin, pavarësimin dhe zhvillimin e shtetit të Kosovës.
“Me SHBA-në ndajmë vlera dhe qëllime të përbashkëta, si miq, aleatë e partnerë, e cila reflektohet edhe nga dëshira e perceptimi edhe i vetë qytetarëve të vendit tonë”, tha Kurti.
Kryeministri kosovar falënderoi SHBA-në për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, energjisë, sigurisë dhe më gjerë. Ai theksoi edhe progresin demokratik, ekonomik e shoqëror që ka njohur Kosova përgjatë këtij mandati qeverisës, me ç'rast veçoi edhe rëndësinë e sigurisë dhe të sundimit të ligjit.
Më tej, ai theksoi edhe domosdoshmërinë e bashkëpunimit rajonal në pritje edhe të samitit të Procesit të Berlinit të hënën e ardhshme, ku trajtoi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për lëvizjen e lirë mes Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës, e cila kontribuon për qytetarët e të dy vendeve.
Kurti gjithashtu theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe bashkëpunimin e dyanshëm me SHBA-në në këtë drejtim.
Përgjatë takimit u trajtua dhe dialogu me Serbinë, ku Kurti shprehu konstruktivitetin e Kosovës në proces dhe nevojën për zbatimin e plotë dhe sa më parë të Marrëveshjes Bazike të Brukselit dhe Aneksit Zbatues të Ohrit.
Ky ishte takimi i dytë Kurti-Kasanof, pas takimit të tyre në New York në fund të muajit të kaluar./aa