Në prag të koncertit “Michael Jackson: Historia dhe legjenda e mbretit të pop-it”, Teatri Kombëtar i Operas e Baletit po bën përgatitjet e fundit për këtë shfaqje që sipas tij, do të jetë e jashtëzakonshme.
Koncertit të datës 13 qershor, në sheshin “Rezistenca”, Durrës, i paraprijnë 2 ditë me prova për koncertin vokal-simfonik.
Pas dy koncerteve që korrën sukses të jashtëzakonshëm në TKOB, “Queen: Show must go on” dhe “Paganini in Jazz”, kompozitori dhe dirigjenti i famshëm italian Roberto Molinelli, vjen sërish në Tiranë dhe në Durrës për të sjellë një tjetër ikonë të muzikës botërore: Michael Jackson.
Hitet nga “Thriller”, “Beat it”, “Heal the World” e deri te “Billie Jean” do të ngrenë peshë zemrat e publikut, të interpretuara nga Orkestra Simfonike e TKOB-së, nën drejtimin e maestros Roberto Molinelli dhe vokalistëve Clarissa Vichi e Mattia Sciascia.
Artdashësit mund ta ndjekin këtë koncert edhe në Tiranë, më 14 qershor./ata