Ka hyrë në fuqi, pas botimit në Fletoren Zyrtare, vendimi i Këshillit të Ministrave për “Organizimin e procesit mësimor dhe përzgjedhjen e arsimtarëve në Diasporë”.

Me një vendim që është botuar në Fletoren Zyrtare dhe që mban datën 15.10.2024, në të gjitha pikat shtesë në mbështetje të nenit 100 të Kushtetues dhe pikës 4, të nenit 10, të ligjit nr. 16/2018, thuhet se ky proces realizohet në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për punët e jashtme dhe diasporën, sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.

Sipas të njëjtit vendim, në rastet kur ministria përgjegjëse për punët e jashtme dhe diasporën propozon organizimin e procesit mësimor në një vend, me të cilin nuk ka marrëveshje dypalëshe ndërkombëtare, planifikimi dhe zbatimi i kurrikulës, zhvillimi profesional i arsimtarëve, pajisja me tekste mësimore dhe materiale ndihmëse për mësimin e gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë bëhet nga ministria përgjegjëse për arsimin. Përzgjedhja e arsimtarëve realizohet bashkërisht nga ministria përgjegjëse për punët e jashtme dhe diasporën, dhe ministria përgjegjëse për arsimin, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Nga ana tjetër, lidhja e kontratës individuale me arsimtarin në diasporë është përcaktuar që të kryhet nga kreu i misionit diplomatik të akredituar në vendin ku ndodhet diaspora, ndërsa pagesa e arsimtarëve do të përllogaritet bazuar në numrin e orëve mësimore mujore, të përcaktuara në kontratën e lidhur ndërmjet palëve, referuar pagesës së personelit vendas të misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë në vendin ku ndodhet diaspora.

Sipas të njëjtit vendim, procesi mësimdhënës organizohet e realizohet nëpërmjet shoqatave kulturore, lidhjeve të mësuesve apo të shkollave shqipe, të regjistruara si organizata jofitimprurëse, në përputhje me legjislacionin e vendit ku veprojnë. Procedura e përzgjedhjes së arsimtarëve të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë, autorizimi dhe lidhja e kontratës individuale me arsimtarin, si dhe monitorimi i mësimdhënies përcaktohen në udhëzimin e përbashkët ndërmjet ministrit përgjegjës për arsimin dhe ministrit përgjegjës për punët e jashtme dhe diasporën.

Për sa i takon përzgjedhjes së teksteve shkollore, ngarkohet ministria përgjegjëse për punët e jashtme dhe diasporën, dhe ministria përgjegjëse për arsimin, nëpërmjet Qendrës së Botimeve të Diasporës, që të mbështesin dhe inkurajojnë procesin mësimor të mësimit të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në diasporë me tekste shkollore, me materiale plotësuese dhe me zhvillim profesional të arsimtarëve.

Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ngarkohen për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi./ata