Në Tiranë, Gjykata Kushtetuese zhvilloi sot seancën përmbyllëse mbi aktet ligjore, që i hapin rrugën studimeve për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës. Një grup organizatash mendojnë se ligji dhe vendimi i qeverisë janë të papajtueshëm me Kushtetutën. Institucionet dhe shoqatat sollën para gjykatës prova dhe argumente pro dhe kundër ndërtimit të hidrocentralit.
Për qeverinë, Skavica është projekti më i rëndësishëm strategjik në fushën e energjisë.
Tre organizatat i kërkuan Gjykatës të shfuqizojë si të papajtueshme me Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit ligjin e Kuvendit dhe vendimin qeveritar të vitit 2021, që i hapin rrugën procedurave të kontratës dhe studimeve në fazën e parë për ndërtimin nga kompania amerikane Bechtel e një dige në Skavicë të Kukësit, e cila sipas tyre shkakton dëme të pakthyeshme në jetën, ekonominë dhe mjedisin e krahinës së Dibrës.
Jordan Daci, një nga avokatët e organizatave, shpreson që gjykata të vendosë pro banorëve të asaj krahine, sepse ligji dhe vendimi, sipas tij, shkelin hapur të drejtat kushtetuese social ekonomike, mjedisore, të drejtën e informimit, liritë ekonomike dhe barazinë para ligjit.
“Kemi një kontratë të veshur me ligj, gjë që nuk të justifikohet në asnjë kohë dhe për mendimin tim kjo është në vazhdimësi të abuzimit me ligjin, duke e përdorur atë si një instrument për të siguruar mbrojtjen si për ata që i miratojnë ashtu edhe për ata që përfitojnë.
Së dyti, patjetër që ligji cënon parimet themelore kushtetuese si dhe trashëgiminë. Bëhet fjalë për një trevë, e cila lidhet në mënyrë të pandashme me familjen e Kastriotëve dhe me heroin kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbej”, i tha Zërit të Amerikës, avokati Daci.
Nga ana tjetër, përfaqësues të institucioneve shtetërore vlerësojnë se “pretendimet e shoqatave janë në fazë hipotetike, hamendësime teorike, derisa nuk ka ende përfundime shkencore”, studimet vazhdojnë dhe në to do të mbështeten vlerësimet e mëtejshme.
Përfaqësues të Kuvendit dhe të qeverisë theksuan se “ligji është në përputhje me Kushtetutën, përcakton procedura në dy faza”, studimin dhe propozimin mbi ndërtimin e hidrocentalit.
Faza e parë parashikon mbledhje të dhënash e studime ku do të bazohet propozimi, nëse apo si do të ndërtohet hidrocentrali.
Sipas tyre, kontrata e fazës së dytë do të sillet nga qeveria sërish në formën e projekt-ligjit në Kuvend. Por veprimtarët vlerësojnë se me gjysmën e fondeve të digës hidrike në të njëjtin terren mund të ngrihen impiante të energjisë diellore, që mund të prodhojnë dyfishin e energjisë.
“Ne kemi shumë shpresë që ligji të shfuqizohet dhe t’u jepet përparësi zhvillimit ekonomik në Dibër, duke investuar në parqe voltaike, që janë mënyra më e mirë për sigurimin e energjisë, janë më miqësore me mjedisin dhe nuk shkaktojnë zhvendosje të komunitetit të banorëve”, tha për Zërin e Amerikës, Ferzileta Gjika, përfaqësuese e shoqatës “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës”.
Avokatët e Komitetit të Helsinkit, të shoqatës “Për Mbrojtjen e Pronave dhe Mjedisit të Pellgut të Drinit të Zi” si dhe të shoqatës “Kundërshtimi ndaj Digës së Skavicës” theksojnë se diga do të përmbytë mbi 17 mijë hektarë toka bujqësore, i quajtur si hambari i veriut, një terren i njohur për vendndodhjet historike e arkeologjike.
Ata dhe veprimtarët i krahasojnë me pasojat e një tërmeti zhvendosjen nga përmbytja të mijëra banorëve nga vendbanimet e tyre pa u marrë mendim dhe pa u garantuar të ardhme të sigurtë.
“Ky hidrocentral është hidrocentrali i mbytjes së Dibrës. Të gjithë jemi të prekur. Ç’është ky hidrocentral?! Ai do të dëmtojë një komunitet shumë të rëndësishëm dhe një popull, që ka luftuar në shekuj për liri e pavarësi, një popull që ka patur përplasje me armiq të shumtë, i cili ka nxjerrë heroin tonë kombëtar Skënderbeun pikërisht nga ato troje, që sot rrezikojnë të përmbyten nën ujë, e që nuk do të mundemi as t’ua tregojmë fëmijëve si fushëbeteja të njohura”, thotë për Zërin e Amerikës, Munir Hoxha, inxhinier i pyjeve dhe mjedisit, njohës me përvojë shumëvjeçare pune në atë rajon.
Hidrocentrali i Skavicës cilësohet nga qeveria si projekti më i rëndësishëm dhe më strategjik në fushën e energjisë, i cili do të sjellë me fitime të drejtpërdrejta në energji, punësim, turizëm dhe ekonominë. Ajo ka ngarkuar kompaninë amerikane Bechtel që të kryejë studime dhe propozime për digën.
Kontrata për fazën e parë të projektit u nënshkrua me këtë kompani në korrik 2021, pasi ligji u miratua në Kuvend në mars të po atij viti. Ligji i 23 marsit 2021 bën “përcaktimin e procedurës së veçantë për negocim dhe ekzekutim të kontratës me shoqërinë Bechtel International Inc, për projektimin dhe ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës.
Ndërsa vendimi i qeverisë së 30 korrikut të po atij viti është “për miratimin e kontratës së fazës së parë për shërbime teknike projekti hidroenergjitik i Skavicës ndërmjet KESH dhe Bechtel Limited”.
Gjykata Kushtetuese merr vendim brenda një muaji nëse do t’i shfuqizojë ligjin e Kuvendit dhe vendimin e qeverisë të vitit 2021 për këtë çështje.