Grupi parlamentar i Partisë Demokratike paraqiti sot kërkesë për interpelancë urgjente me Kryeministrin Edi Rama, duke sjellë edhe argumentet përmes letrës së firmosur edhe nga kryetari i Rithemelimit, Sali Berisha, tashmë kryetar i Partisë Demokratike me vendim të Gjykatës së Apelit.

Berisha nuk është pjesë e grupit parlamentar të PD, pas mospranimit të kërkesës për ta përfshirë në grup seancën e kaluar parlamentare, që la në fuqi përjashtimin e tij.

Ish-kryeministri ndodhet në arrest shtëpie, ndërsa është në hetim për korrupsion për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit “Partizani”.

Njoftimi i PD-së për kërkesën për interpelancë vë në dukje se ajo bazohet në Kushtetutë dhe në rregulloren e Kuvendit dhe në mbështetje te nenit 96, pika 5 d Rregullores së Kuvendit, interpelanca do të paraqitet nga deputeti Sali Berisha.

Në kërkesën drejtuar kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, deputetët demokratë argumentojnë se  “ekzistojnë fakte dhe prova të pakontestueshme për përfitimin e miliona eurove, para publike, nëpërmjet subjekteve tregtare të lidhura drejtpërdrejt me të afërm të kryeministrit Edi Rama, apo të dhënat shqetësuese lidhur me tenderat sekrete, përfitues të të cilëve rezultojnë subjekte dhe individë të lidhur me qeverinë Rama”./ata