Në Kryesinë e Kuvendit u zhvillua sot takimi i përbashkët i Sekretariatit për Transparencën dhe Teknologjinë e Informacionit dhe përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile dhe medias, me qëllim diskutimin e çështjeve të rëndësishme për promovimin e transparencës, nismat e ndërmarra në hartimin e standardeve të transparencës, si dhe hapat për përmirësimin e këtij procesi.
Takimi u përshëndet nga Blendi Klosi, Sekretar për Sekretariatin e Transparencës dhe Teknologjinë e Informacionit, deputetja Ilda Dhori, Ana Kovacevic, Drejtoresha e NDI-së në Shqipëri, Genci Gjonçaj, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, etj.
Fillimisht, Klosi vlerësoi hapat e ndërmarra në drejtim të rritjes së transparencës ndaj Kuvendi, si dhe rolin e rëndësishëm që luan dhe duhet të luajë shoqëria civile në këtë proces si një ndër vlerësuesit më të mirë të vendimmarrjes së parlamentit shqiptar.
Duke u ndalur në punën e bërë nga Sekretariati i Transparencës dhe Teknologjinë e Informacionit në bashkëpunim edhe me NDI për gjetjen e rrugëve dhe mekanizmave të duhura për rritjen e transparencës, Klosi vlerësoi punën e bërë për arritjen e standardeve më të mira për transmetimin dhe përçimin e aktivitetit parlamentar tek grupet e interesit dhe publiku.
Ilda Dhori vlerësoi punën e bërë për hartimin dhe miratimin e standardeve të transparencës së Kuvendit dhe të njëjtën kohë nënvizoi rëndësinë e realizimit dhe monitorimit të zbatimit të tyre, pavarësisht situata specifike që mund të krijohen për shkak të vendimmarrjeve politike.
Për këtë qëllim Dhori ftoi shoqërinë civile dhe median që të bëhen pjesë e procesit monitorues të zbatimit të këtyre standardeve të transparencës.
Ana Kovacevic, Drejtoresha e NDI në Shqipëri ndau me pjesëmarrësit punën e bërë në bashkëpunim me Administratën e Kuvendit dhe aktorë të ndryshëm për gjetjen e mekanizmave dhe hartimin e standardeve të transparencës, rritjen e aksesueshmërinë dhe pjesëmarrjes aktive të shoqërisë civile në vendimmarrje, duke u bazuar dhe në modelin e Planit për Parlament të Hapur.
Kovacevic nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe rolin e gjithsecilit për rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet dhe pasjes së një demokracie funksionale.
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj në fjalën e tij theksoi qasjen e Administratës së Kuvendit për rritje e transparencës, përshtatjen me zhvillimet më të fundit teknologjike, si dhe rolin promotor që ka luajtur për të krijuar një parlament sa më të hapur për qytetarët dhe bashkëpunues me shoqërinë civile, median dhe grupet e interesit.
Gjonçaj shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin e arritur me partnerët strategjikë, si dhe ftoi të gjithë aktorët e shoqërisë civile të bëhen pjesë dhe të bashkëpunojnë me Kuvendin për të përmirësuar edhe më tej procesin e transparencës.
Takimi vijoi me diskutimet e përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe medias, të cilët shprehën pikëpamjet e tyre dhe ndanë opinione dhe sugjerime për rritjen e transparencës së Kuvendit lidhur me: propozimet e ardhura gjatë procesit të konsultimit publik për projektligje të caktuara dhe dëgjesat në komisionet parlamentare; arritjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit me organizatat e shoqërisë civile në nivel lokal, publikimin e informacionit në kohë reale dhe me interes për publikun dhe median, nevojën e hartimit të legjislacionit përkatës për lobistët, etj.
Më tej Julia Done, Drejtoreshë e Përgjithshme e Shërbimit të informacionit dhe Dokumentacionit dhe Lefterije Luzi, Drejtor i Shërbimit të Komisioneve i njohën të pranishmit me hapat që do të ndërmerren për hartimin e planit të punës për zbatimin e standardeve të transparencës, diskutimit të raportit vjetor të punës së Kuvendit, si dhe ftuan përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe medias të kontribuojnë me sugjerime konkrete për përmirësimin e procesit të transparencës.
Takimi u organizua në kuadër të procesit të nisur nga Kuvendi për rritjen e transparencës dhe angazhimit me qytetarët çka u finalizua me nënshkrimin nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla të deklaratës së angazhimit të Kuvendit të Shqipërisë mbi zbatimin e Standardeve të Transparencës, të cilat janë hartuar nga Kuvendi, përfaqësues të shoqërisë civile dhe të medias, me mbështetjen e Institutit Demokratik Amerikan (NDI)./ata