Raportohet se Ministria gjermane e Arsimit dhe Kërkimit ka nisur një hetim nëse do të ndërpritet mbështetja financiare e paguar për akademikët që mbështesin studentët që protestojnë kundër sulmeve të Izraelit në Gaza.

Shumë anëtarë të fakultetit në Gjermani nënshkruan letër të hapur duke reaguar ndaj brutalitetit policor ndaj studentëve që protestuan më 7 maj në mbështetje të Palestinës në Universitetin e Lirë të Berlinit (Freie Universität). Sipas lajmit të Radio Televizionit të Gjermanisë Veriore, Ministria gjermane e Arsimit dhe Kërkimit nisi një hetim kundër akademikëve që nënshkruan letrën e hapur në mbështetje të studentëve që protestojnë kundër Izraelit.

Ministria do të hetojë nëse do të shkurtohen fondet e dhëna për akademikët. Në emailin e dërguar akademikëve thuhet se ata janë pyetur se përse kanë përkrahur studentët që mbështesin Palestinën dhe kanë kërkuar mbrojtje.

Profesori në pension i së drejtës kushtetuese dhe administrative, Clemens Arzt tha se kërkesa e ministrisë është "përpjekje për të ndërhyrë në lirinë e shprehjes". "Kjo situatë, e cila mund të sjellë pasoja si tërheqja e mbështetjes financiare, do të jetë një ndërhyrje kundër lirisë akademike", tha ai.

Pas reagimeve, ministria pranoi se mesazhi i akademikëve për mbështetjen e studentëve ishte në kuadër të lirisë së shprehjes, por rezultati i hetimit mbetet i paqartë.

Në deklaratën e bërë nga ministria thuhet se letra e hapur ishte në kuadër të lirisë së shprehjes të mbrojtur me Kushtetutë dhe për këtë arsye nuk janë nxjerrë konkluzione të tjera lidhur me letrën dhe shtohet: "Spekulime të mëtejshme janë të panevojshme".

Në deklaratë nuk jepet asnjë informacion se hetimi i nisur për të hetuar nëse mbështetja financiare do të shkurtohej apo jo ishte ndërprerë zyrtarisht.

- Letër e hapur nga anëtarët e fakultetit

Më 7 maj, rreth 150 studentë në Universitetin e Lirë të Berlinit ngritën një kamp solidariteti me tenda në kopshtin e brendshëm të universitetit për të mbështetur Palestinën dhe për të protestuar kundër shtypjes së mbështetësve palestinezë në Gjermani. Policia ndërhyri ndaj protestës, evakuoi kampin dhe arrestoi shumë mbështetës palestinezë.

Pas këtyre zhvillimeve, shumë anëtarë të fakultetit që punojnë në universitete të ndryshme në vend nënshkruan një letër të hapur duke mbështetur studentët që shprehin solidaritet me Palestinën dhe kërkojnë që studentët të mos i nënshtrohen dhunës policore.

Në letrën e publikuar online thuhet: "Pavarësisht nëse jemi dakord me kërkesat konkrete në kamp apo jo, ne qëndrojmë në krah të studentëve tanë dhe mbrojmë të drejtën e tyre për protestë paqësore".

Në letër thuhet se protestat në fjalë mund të mbahen edhe në zonat universitare, se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore demokratike që duhen mbrojtur sidomos në universitete dhe se studentët duhet të mbrohen dhe të mos ekspozohen ndaj dhunës policore.

Ministrja Federale e Arsimit dhe Kërkimit, Bettina Stark-Watzinger kritikoi letrën e hapur të anëtarëve të fakultetit./aa