Është mbajtur në sheshet e Prishtinës, me rastin e 12 Qershorit - Ditës së Çlirimit të Kosovës parakalimi i ushtrisë dhe policisë së Kosovës.
 

Në parakalimin e njësive ushtarake dhe policore të Kosovës, nga sheshi "Zahir Pajaziti" deri tek sheshi "Skenderbeu" përveç udhëheqësve të institucioneve të larta në vend dhe përfaqësuesve të huaj, morën pjesë edhe shumë qytetarë të cilët e përcollën parakalimin e ushtarëve dhe policëve.
 

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se forcat e FSK-së dhe Policisë së Kosovës që parakalojnë sot në sheshe "janë forca të paqes dhe në mbrojtje të paqes", por, ato do të jenë gjithmonë në mbrojtje të Kosovës në çdo cep të saj.
 

Osmani gjatë fjalimit të saj para parakalimit të FSK-së e Policisë së Kosovës në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, ka përmendur sakrificën, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen Jashari.

"Kosova është e pavarur, është trashëgimi e përjetshme e heronjve dhe martirëve tanë, e mishëruar më së miri në trimat e trimëreshat që sot do të parakalojnë në këtë paradë të FSK-së dhe Policisë së Kosovës të cilët janë betuar të mbrojnë atdheun me çdo çmim. Të nderuar aleatë, këto forca që do të parakalojnë sot janë forca të paqes, janë në mbrojtje të paqes, por do të jenë sot e përjetë në mbrojtje të lirisë së larë me gjak, do të jeën sot e përjetë dhe me çdo kusht e çdo çmim në mbrojtje të Kosovës në çdo cep të saj", ka thënë Osmani.
 

Kjo paradë sipas ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ishte parada më e madhe e organizuar që nga paslufta, e cila shfaqi fuqinë dhe përkushtimin e FSK-së./aa