Qyteti i Ferizajt ka bërë emër si një "galeri e hapur" me rreth 150 murale të pikturuara në pika të ndryshme të qytetit në kuadër të festivalit "MuralFest" që mbahet prej nëntë vjetësh në Kosovë.

Ky qytet në të cilin kalonte dikur "Hekurudha e Rumelisë", një nga linjat e rëndësishme hekurudhore të periudhës osmane, është ndër qendrat e rëndësishme tregtare të Kosovës. Në pjesë të ndryshme të qytetit ku mbahet "MuralFest", bien në sy shumë murale që kanë përfunduar apo janë në zhvillim e sipër, duke tërhequr përgjithësisht vëmendjen për probleme të rëndësishme sociale.

Duke folur për Anadolu, menaxherja e projektit të "MuralFest", Adea Rexhepi tha se Ferizajt i kanë dhënë identitet përmes muraleve. Ajo tha se e organizuan festivalin për ta kthyer Ferizajn në një qytet të njohur për muralet e tij. "Mendojmë se kemi arritur një qëllim shumë të madh. Përveç shikimit të veprave të artit në një galeri apo gjetkë, qytetarët mund të shohin dhe të frymëzohen nga veprat e artit vetëm duke ecur në rrugë", tha Rexhepi.

Rexhepi tha se rreth 150 murale janë pikturuar në pjesë të ndryshme të qytetit nga artistë vendës dhe të huaj në kuadër të festivalit që ata e organizojnë që nga viti 2016.

Amerikania Emily Herr, e cila këtë vit mori pjesë në festival si artiste, tha se është përpjekur të tregojë efektin e fuqishëm dhe të bukur që mund të ketë krijimtaria kur zbulohet, me muralin që ka pikturuar në një zonë ku jetojnë komunitetet minoritare.

Herr tha se shpreson që murali i saj do të ketë ndikim të guximshëm dhe krijues te njerëzit që do ta shohin atë çdo ditë. "Në këtë dizajn, u përpoqa të kap frymën krijuese dhe konceptin e grave në përgjithësi, por gjithashtu doja të përfshija pamjen e një gruaje që jeton këtu duke u shtrirë drejt hijes së krijuar nga një dritë e fortë", tha autorja.

Në kuadër të edicionit të nëntë të sivjetshëm të festivalit, i cili u mbajt nga data 31 maj deri më 7 qershor dhe iu kushtua grave, u pikturuan tetë murale dhe u tërhoq vëmendja për vështirësitë që përjetojnë gratë përmes ngjarjeve të ndryshme./aa