Shqipëria mund të mos jetë vendi i parë që ju vjen ndërmend për pushime në plazh, por resortet gjysmë ore larg Tiranës ofrojnë plazhe të arta, det të qetë dhe hotele të përballueshme.
Kështu e nis artikullin e saj prestigjiozja britanike, “The Guardian”, e cila e liston Shqipërinë mes vendeve me plazhe të mrekullueshme që mund të shijohen jo me shume shpenzime.
“Shtrirja e gjatë e vijës bregdetare në formë gjysmëhëne ofron diell gjatë gjithë ditës dhe hapja e Shqipërisë pas vitesh kufizimesh ndihmon në mbajtjen e çmimeve konkurruese, veçanërisht pas konvertimit të paundëve në monedhën vendase. Një opsion i lirë për të arritur atje, është të fluturohet për në Korfuz dhe më pas të merret një traget për rreth 20 € në çdo drejtim.”, shkruan prestigjiozja britanike.
“The Guardian” ndalet në Dhërmi ku çdo ditë mund të përjetohet një plazh i ndryshëm. Një çadër pikniku për katër persona kushton rreth 20 £ dhe dreka në një restorant të këndshëm fillon nga 8 stërlina për person.
Shqipëria, një nga destinacionet e udhëtimit me rritjen më të shpejtë në Evropë, do të fokusohet në turizmin alternativ dhe jo masiv, në një lëvizje që zyrtarët qeveritarë shpresojnë se do ta ndihmojë në dallimin e saj nga konkurrentët.
“Shteti i vogël ballkanik, dikur i mbyllur hermetikisht nga bota e jashtme, është rritur në popullaritet për shkak të një reputacioni që shihet gjithnjë e më shumë si trend dhe ekzotik. Vitin e kaluar ai tërhoqi 7,5 milionë vizitorë, më shumë se dyfishi i popullsisë së tij, nga një tjetër rekord prej 6,4 milionë në 2019”, shkruan “The Guardian”.