Pavarësisht humbjeve të popullsisë për shumë bashki në vend, fakt që doli në pah nga Censi 2023,  me qëllim ruajtjen e stabilitetit financiar, qeveria ka vendosur të mos i penalizojë në fondet që marrin.

Në formulën e vitit 2025 është vendosur një rregull fiskal që asnjë njësi e vetëqeverisjes vendore nuk do të marrë më pak se 105% të fondeve që i janë akorduar në vitin 2024. Si rrjedhojë, bashkitë të cilat rezultojnë me numër popullsie më të lartë sipas Censusit 2023 krahasuar me Censusin e vitit 2011 do marrin më shumë fonde.

Sipas formulës së ndjekur deri më tani, shpërndarja e fondeve bëhej në raport me numrin e popullsisë.

Censusi i vitit 2023 rezultoi me ulje të numrit të popullsisë krahasuar me Censusin e vitit 2011 me afro 397 mijë ose 14.21% më pak.

Sipas të dhënave të Censit2023, për shkak të fenomenit të emigrimit, bashkitë kanë humbur popullsi duke u tkurrur në mënyrë të ndjeshme. 14 nga 61 bashki kanë nën administrim një popullsisë prej më pak se 10 mijë banorësh, ndërsa 5 bashki kanë më pak se 5 mijë banorë, të tilla si Libohova, Këlcyra, Pusteci, Konsipoli, Fushë-Arrësi.

Në përqindje, bashkitë me tkurrjen më të madhe të popullsisë ndërmjet dy Censeve janë Bashkia e Selenicës, Pustecit , Pukës dhe Rrogozhinës.

Për vitin e ardhshëm, është parashikuar gjithashtu  që ardhurat e bashkive nga taksat e ndara, krahasuar me vitin 2015, para reformës administrativo- territoriale, të rriten me rreth 1.5 miliardë lekë për vitin 2025, duke përfshirë shpërndarjen e tatimit mbi të ardhurat personale dhe taksën e rentës minerare.

Transferta e pakushtëzuar e përgjithshme dhe sektoriale përbëjnë një burim të rëndësishëm për financimin e funksioneve të pushtetit vendor. Gjatë vitit 2025, pushteti vendor do të përfitojë në total 43 miliardë lekë në formën e transfertave nga të cilat 26.2 miliardë lekë ose 60% është transfertë e pakushtëzuar e përgjithshme e cila shpërndahet përmes formulës, 13.2 miliardë lekë ose 30% është në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale për financimin e funksioneve të transferuara në nivel vendor, 200 milionë lekë grant performance dhe 3.5 miliardë lekë ose 10% në formën e transfertës sektoriale për rritjen e pagave./Scan