Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka nisur sot vizitën zyrtare dyditore në Finlandë.

Hasani e ka nisur vizitën nga biblioteka qendrore e Helsinkit.

Teksa ndau foto nga kjo bibliotekë, Hasani theksoi se kjo bibliotekë është vendtakimi i një epoke të re për librin, artin, muzikën, historinë dhe punën.

“Mirëmëngjes nga biblioteka qendrore e Helsinkit, vendtakimi i një epoke të re për librin, artin, muzikën, historinë dhe punën”, shkroi Hasani në një postim në rrjetet sociale.

Më 12 dhe 13 qershor 2024, ministri Hasani do të qëndrojë në Finlandë, ku do të ketë takime me presidentin Alexander Stubb, homologen Elina Valtonen, si dhe ministrin për BE dhe Drejtimin e Pronësisë, Anders Adlercreutz.

Ai do të vizitojë Qendrën Evropiane për Kërcënimet Hibride në Helsinki dhe do të takohet me grupin parlamentar të miqësisë Shqipëri – Finlandë.

Bashkëpunimi në sektorin e ekonomisë dhe turizmit, mbështetja e Finlandës ndaj procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, mbështetja për Ukrainën, si dhe bashkëpunimi në kuadër të NATO-s dhe kryesinë e OSBE-së për vitin 2025, janë disa prej temave që pritet të diskutohen gjatë takimeve të ministrit Hasani./ata