Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, njëherazi edhe deputete dhe drejtuese politike e Partisë Socialiste në Gjirokastër, i është përgjigjur në Kuvend deputetit të Partisë Demokratike Tritan Shehu, mbi akuzat e ngritura nga ligjvënësi opozitar mbi marrëveshjen për ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë (UNED) për hapjen e Universitetit Kombëtar të Arsimit në Distancë, kampusi në Gjirokastër.

Shehu tha se kjo marrëveshje nuk është konsultuar me Universitetin e Gjirokastrës, madje sipas tij synohet dhe marrja e kampusit të unviersitetit të qytetit të gurtë. Për deputetin demokrat, duhen politika nxitëse në fushën e arsimit, pasi Universiteti i Gjirokastrës rrezikon të mbyllet.

“Do e votoj kundër, kjo marrëveshje dëmton Gjirokastrën dhe Universitetin e Gjirokastrës. Duhet një bisedim më i gjerë me Universitetin e Gjirokastrës për të finalizuar një marrëveshje”, tha Shehu.

Kumbaro tha se kjo marrëveshje është konsultuar me Universitetin e Gjirokastrës dhe për këtë paraqiti dhe dokumentet përkatëse.

“Po ndaj me ju marrëveshjen që Universiteti i Gjirokastrës ka bërë me UNED-in dhe marrëveshjen që Bashkia e Gjirokastrës ka bërë me UNED-in. Në të gjitha komunikimet që kanë dy vjet që shkëmbehen mes UNED, që është universiteti publik më i madh spanjoll dhe kampusi më i madh i studimeve online në Europë, është një program i tërë që po detajohet”, tha Kumbaro.

Sipas Kumbaros investimi është duke marrë jetë për kampusin e ri dhe infrastruktura do të mirëpresë studentë nga Gjirokastra, Shqipëria dhe i gjithë Ballkani.

“Kampusi ekziston krejtësisht i investuar nga Bashkia e Gjirokastrës dhe tashmë është i pajisur me sallat, teknologjinë dhe jo vetëm për studentët e Gjirokastrës, por edhe për studentët e tjerë shqiptarë, apo edhe ata të Ballkanit, që do të vendosin të studiojnë atje. Kampusi i ri do të jetë një jetë e re rinore, një mundësi tjetër për kërkime shkencore, për botime mes Universitetit të Gjirokastrës, studentëve ngado që janë, nga Ballkani dhe Shqipëria, për të përfituar nga një mundësi tjetër studimi. Me bashkinë e Gjirokastrës dhe qarkun është bërë dhe marrëveshje për hapje të kurseve të gjuhëve të huaja. Gjirokastra është një nga destinacionet më të rëndësishme të frekuentuar edhe nga turistë spanjollë, që në pesë muajt e parë të këtij viti i kanë kaluar 50% më shumë se vitin e shkuar”, tha Kumbaro.

Lidhur me shqetësimin tjetër të deputetit demokrat, lidhur me konkurrencën mes universiteteve, Kumbaro tha se kjo nxit rritjen e cilësisë së universiteteve dhe nuk ka asnjë efekt negativ.

UNED është universiteti publik kryesor i edukimit në distancë në Spanjë. Ka mbi 200 mijë studentë në vit dhe kampuse/filiale në 17 shtete në botë, konkretisht në 75 qytete, me 80 qendra. UNED është një lider në fushën e arsimit në distancë dhe kërkimit shkencor.

I themeluar në vitin 1972, UNED ofron një gamë të gjerë programesh universitare dhe pasuniversitare, duke përfshirë 30 diploma bachelor, 80 diploma master dhe 20 programe ndërkombëtare doktorale në fusha të ndryshme si shkencat, inxhinieria, ekonomia dhe administrim biznesi, shkencat politike dhe sociologjia, drejtësia, edukimi, filologjia, filozofia, gjeografia dhe historia, dhe psikologjia.

Ky universitet ka revolucionarizuar metodologjinë e mësimdhënies përmes teknologjisë, duke pasuruar ofertën akademike çdo vit me programe dhe diploma të reja. Një nga aspektet më të njohura të UNED është mundësia arsimore që u ofron studentëve pavarësisht vendndodhjes dhe moshës së tyre.

Kjo e bën universitetin tërheqës për studentët ndërkombëtarë dhe duke filluar nga viti i ri akademik 2024-2025, këto mundësi do të jenë të disponueshme edhe për studentët shqiptarë./ata