Kuvendi shtyu sot votimin e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.
Kërkesa në Kuvend u parashtrua nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Bledi Çuçi.
Këto ndryshime janë kundërshtuar nga grupi parlamentar i PD me argumentin se duhet të ruhet hierarkia e pagave dhe se ligji duhet të vijë konform standardeve.
Në nenin 17 të ligjit për Gjykatën Kushtetuese propozohet që neni që parashikonte se paga e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese të ishte e barabartë me pagën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, ndryshohet dhe rroga tashmë bëhet sa 96 % e pagës së presidentit, plus 58 % shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës. Pra paga e anëtarit të Gjykatës Kushtetuese bëhet 644 mijë lekë të reja. Ndërsa drejtuesi i Gjykatës ka 20% shtesë për shkak të pozicionit dhe paga e tij arrin 773 mijë lekë të reja.
Ndërkohë me 72 vota pro dhe 2 kundër Kuvendi miratoi raportin vjetor të veprimtarisë vjetore të Komisionierit për Mbikqyrjen e Shërbimit Civil (KMSHC) për vitin 2023.
Po ashtu me 74 vota pro, Kuvendi miratoi projektligjin “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në protokollin për ndryshimin e nenit 50(a) të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar, si dhe në protokollin për ndryshimin e nenit 56 të Konventës së Aviacionit Civil Ndërkombëtar”.
Në përfundim Kuvendi miratoi edhe anëtarët zëvendësues të propozuar nga PS në komisionin hetimor për trajtimin e të dhënave TIMS, të cilët janë deputetët, Klevis Xhoxhi, Bujar Çela dhe Pranvera Resulaj./ata