Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në Amerikë u ndal te situata në të cilën ndodhej vendi para se PS të vinte në qeverisje.

Rama theksoi se qeveria shqiptare nuk gëzonte më asnjë respekt, ndërkohë që rruga europiane e Shqipërisë ishte e bllokuar.

“Kryeministri ishte thuajse i izoluar prej vitesh, as e vizitonte dhe as e ftonte më kush prej udhëheqësve të vendeve europiane”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se vendi ishte në telashe dhe qeveria e zhytur në borxhe ndaj kompanive të ndërtimit të rrugëve që kishin mbetur rrugëve dhe shërbimeve për sektorin publik nga spitalet, te shkollat.

“40 milionë dollarë ishte borxhin i qeverisë vetëm prej detyrimeve të papaguara ndaj invalidëve dhe personave me aftësi të kufizuara. Rreziku i kolapsit energjetik ishte më i madh se kurrë dhe borxhi ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike ishte 1.3 miliardë dollarë, me gjysmën e shqiptarëve që paguanin edhe për gjysmën tjetër, dhe gjysëm që nuk paguanin më energji elektrike”, tha Rama.

Kryeministri solli në vëmendje edhe situatën në spitale, ndërsa theksoi se Shqipëria kishte nivelin më të lartë të infeksioneve postoperatore për shkak të instrumenteve mjekësore të amortizuara.

“Spitalet nuk kishin më ilaçe. Familjarët i shtronin të afërmit e tyre në spital me çarçafë dhe batanije që i merrnin nga shtëpia. Shqipëria kishte nivelin më të lartë të infeksioneve postoperatore për shkak të instrumenteve mjekësore të amortizuara dhe sistemit të sterilizimit të shkatërruar. Autoambluancat dhe automjetet e policisë fikeshin rrugëve nga mungesa e karburantit”, tha Rama.

Duke u ndalur te rendi, Rama tha se mesatarja vjetore e vrasjeve ishte një vrasje në çdo tri ditë.

“Korrupsioni i pranishëm në çdo kontakt të qytetarit me shtetin deri edhe për të marrë një certifikatë duhej të paguaje ryshfet dhe për të marrë një dokument nga shteti duhej të rrije në radhë”, tha Rama.

Ndërkohë turizmi, sipas kryeministrit, ishte një sektor që mbahej gjallë nga malli i emigrantëve dhe patriotizmi i shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë.

“Qytetet e Shqipërisë ishin të mbuluara nga pluhuri, dhe rrënimi ishte emëruesi i shesheve të tyre kryesore. Ndërkohë që Tiranës i kishte ndalur njësoj si sahati, që ishte gjithmonë 12:00, edhe koha e zhvillimit. Kanalet ujitëse e kulluese humbnin mes ferrave dhe më shumë se gjysma e tokave të bukës nuk punoheshin më, se nuk kishin ujë. Ndërsa pikat e  grumbullimit të prodhimit numëroheshin me gishtat e njërës dorë në gjithë Shqipërinë. Për agroturizëm nuk bëhej fjalë”, tha Rama.

Po ashtu kryeministri theksoi se paga minimale ishte 150 euro dhe paga mesatare ishte 370 euro.

“Prodhimi i Përgjithshëm i vendit 12 miliardë euro dhe angazhimi në punë i forcave të punës nën 50%. Borxhi publik ishte jashtë kontrollit dhe në terma realë kishte kaluar tavanin e 80%, duke e bërë Shqipërinë një vend me litarin në fyt përballë tregjeve financiare ndërkombëtare”, tha Rama./ata