Ekspozohen për herë të parë Kodiku i Purpurt i Beratit dhe simotra e tij e Rossano-s.

Drejtori i përgjithshëm i Arkivave, Ardit Bido zhvilloi një takim me Imzot Maurizio Aloise-n, arqipeshkvin e Rossano-s dhe me Dom Giuseppe Straface-n, drejtorin e Muzeut të Kodikut të këtij qyteti, që zotëron simotrën e “biblës tonë perandorake” të strehuar në DPA, Kodikut të Beratit.

Si rezultat i bisedimeve, palët ranë dakord për prezantimin për herë të parë të këtyre dy thesareve të paçmuara të historisë së njerëzimit në dy ekspozita, që do të mbahen në Shqipëri dhe në Itali. Po ashtu, bashkëpunimi do të vijojë edhe përmes një botimi anastatik të përbashkët.

Ndërkohë Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat organizoi një simpozium historik në bashkëpunim me Museo Diocesano e del Codex Kalabri, titulluar “Batifoli dhe Kodikët e Beratit”.

Mes shumë të ftuarve ishin krerët e të gjitha komuniteteve fetare në Berat. Referuesit sollën fakte të reja mbi jetën dhe kontributet e Batifolit në historinë e kodikëve dhe trashëgiminë e Beratit, tipologjinë e shkrimit të shenjtë në dorëshkrimet historike dhe një histori e Muzeut Ikonografik Onufri me sfidat që sjell e ardhmja në situatën e suksesshme të turizmit në Shqipëri.

QKMB bëri me dije se materialet e referuara shumë shpejt do jenë të publikuara në formë elektronike.

Miqtë nga Rossano Calabro ekspozuan për publikun një kopje të Kodikut të tyre (Codex Purpureus Rossanensis) që është i së njëjtës tipologji e periudhë me Kodikun e Purpurt të Beratit (Codex Purpureus Beratinus 1)

Ky aktivitet hodhi bazat e një bashkëpunimi në të ardhmen për promovimin dhe evente shkencore në dobi të kulturës, trashëgimisë dhe vlerave të bashkëjetesës fetare./ata