Kandidat i koalicionit Dule-Berisha për bashkinë e Himarës, Fredi Beleri ka ngritur padi për shpifje ndaj kreut të grupit parlamentar Taulant Balla. Beleri bën të ditur se ka kërkuar një dëmshpërblim prej 1 milion lekësh për akuzat publike të Ballës se ai kishte qenë i dënuar për masakrën e Peshkëpisë.

 

“Edhe pse e paralajmërova zotin Taulant Balla se ai do të mbajë përgjegjësi para drejtësisë për deklaratat e tij shpifëse dhe të rreme ndaj meje, ai vazhdoi të mbështesë shpifjet e tij. Sot kam ngritur dhe depozituar padi. Me anë të së cilës kam kërkuar  dëmshpërblim prej 1.000.000 lekësh të cilat do t’ia dhuroj të gjithë shumën “Shtëpisë së Foshnjës Vlorë”.

 

Të paktën në këtë mënyrë  një shpifës i tillë do të ketë kontribuar sado pak në shërbimin e rrënuar të shtëpive të foshnjave nëpër bashki. Jam i bindur dhe shpresëplotë për vendimin e drejtësisë shqiptare. Por, përgjigjen politike do ta marrin shpifësit përsëritës si Taulant Balla më 14 maj kur Himara të zgjedhë një kryetar bashkie që do t’i shërbejë interesave të vendit dhe jo miqve të tij”, u shpreh në deklaratën e tij Beleri.