Bordi i Administrimit të AKKSHI-së shtyn afatin e aplikimit për thirrjen për projekte të kërkim-zhvillimit të shpallur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, për vitin 2023 deri më 17 mars.

 

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi bëri të ditur se përgjatë këtyre ditëve ka pasur një angazhim dhe interes të lartë nga universitetet dhe institucionet kërkimore shkencore për të aplikuar në këtë thirrje.

 

“Prandaj, nisur nga nevoja dhe kërkesat tuaja për më shumë kohë në dispozicion, Bordi i Administrimit të AKKSHI-së mori vendimin për shtyrjen e afatit të aplikimit deri në datën 17 Mars 2023. Këtë vit kemi rritur me 75% buxhetin për projekte të kërkimit shkencor në krahasim me vitin 2022, duke ecur shpejt drejt përmbushjes së angazhimit tonë për të rritur financimin e kërkimit shkencor në 1% të PBB deri në vitin 2030. Falë këtij buxheti, me thirrjen e këtij viti do të mundësojmë edhe rritjen e numrit të projekteve fituese por edhe përmirësimin e cilësisë së tyre”, u shpreh ministrja.

 

Kushi informoi se së shpejti do të hapet edhe thirrjen e dytë, e cila do t’i dedikohet vetëm projekteve që vijnë nga bashkëpunimet mes universiteteve dhe bizneseve, me qëllim modernizimin e proceseve teknologjike ose përmirësimin e standardeve të produkteve dhe shërbimeve.

 

Prioritet do të kenë projektet që do t’i përgjigjen 6 fushave të shpallura në thirrje, për të mbështetur zhvillimin social dhe ekonomik të vendit.