Ministri i Brendshëm, Taulant Balla priti sot në një takim Presidentin e INTERPOL-it, Ahmed Naser Al-Raisi, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore dhe narkotikëve, kërcënimet kibernetike, përmirësimin e sigurisë në rajon dhe më gjerë, si dhe vendosjen para drejtësisë të personave në kërkim ndërkombëtar.
Ministria e Brendshme, përmes një njoftimi për mediet, ndau detaje mbi takimin.
“Të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit midis agjencive të specializuara të zbatimit të ligjit për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe për të ruajtur sigurinë e komuniteteve në mbarë botën. U diskutua gjithashtu mbi përdorimin e bazave të të dhënave dhe mjeteve të ofruara nga INTERPOL, si dhe nevojën për të shfrytëzuar nismat e shumta të lançuara nga organizata për të ndërtuar kapacitete dhe për të trajnuar personelin e zbatimit të ligjit.
Në takim u evidentua roli aktiv i Shqipërisë në mundësimin e INTERPOL-it për të luftuar krimin e organizuar, trafikimin e qenieve njerëzore dhe narkotikëve, kërcënimet kibernetike, dhe në përmirësimin e sigurisë në rajon dhe më gjerë,” përfundon njoftimi.
Presidenti i INTERPOL-it po qëndron në Tiranë në kuadër të Konferencës së 51-të Rajonale Europiane të INTERPOL-it, e cila mbyll punimet ditën e sotme./ata