Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku deklaroi sot se pas hapjes së negociatave për kapitullin e parë, vendet anëtare të BE-së mund të sjellin misionet e tyre faktmbledhëse për të parë situatën në Shqipëri.
“Me hapjen e negociatave për kapitullin e parë ku janë dhe zgjedhjet, të drejtat e njeriut, lufta ndaj korrupsionit, shteti i së drejtës, kemi edhe metodologjinë e re, ku të gjitha vendet e anëtare kanë hapësirë për të sjellë misione faktmbledhëse. Nuk është më një punë e Komisionit që sjell një raport të përvitshëm, ata vijnë vetë dhe e shohin situatën,” theksoi Jorida Tabaku në një intevistë në medie.
Ajo foli dhe për zhvillimet në PD. Sipas saj kërkesa e PD-së për qeveri teknike para zgjedhjeve është e realizueshme. Tabaku pohoi se çështjen e qeverisë teknike e ka ngritur edhe në takimet që pati me përfaqësues të lartë të CDU-së në Berlin.
“PD nuk duhet të bëjë gabimet e së shkuarës. Mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale, largimi nga Parlamenti dhe lënia bosh e hapësirës politike e ka dëmtuar PD-në. Përfaqësimi politik dhe oferta opozitare duhet të jenë të panegocieshme. Paralelisht, duhet të vazhdojë lufta për kërkesën për qeverinë teknike dhe për të gjitha mjetet që do të përdorë opozita në funksion të zgjedhjeve. Ne duhet të flasim për dialogun që PD duhet të bëjë me njerëzit, për të cilin ne e kemi kapacitetin. Ne duhet të flasim për ofertën elektorale dhe e di që e kemi patur gjithmonë dhe e kemi më të mirë. Duhet të flasim për ekipin dhe faqen që do t’u japë njerëzve si një ofertë politike. Megjithë vështirësitë e tre viteve të fundit, PD është alternativa më e mirë poliitke që shqiptarët duhet ta zgjedhin. Që kjo të ndodhë, ne kemi një punë të madhe përpara me shqiptarët këtu dhe me shqiptarët jashtë. Na takon ne t’i ngremë shqiptarët si shenjë revolted he me një votë kundër qeverisë,” tha Tabaku./ata