Plakja e popullsisë si në të gjithë Europën do të jetë sfidë për sistemin e pensioneve, por Shqipëria aktualisht ka shpenzimet më të ulëta në raport me PBB-në, së bashku me tre vende të tjera europiane.

Sipas të dhënave të Eurostat, shpenzimet mesatare në vendet e BE-së për pensionet ishin 12.9% të PBB-së më 2021, teksa vendet me shpenzimet më të ulëta ishin Irlanda me 4.5% të PBB-së, Turqia me 6%, Malta me 6.4% dhe Shqipëria me 6.8% të PBB-së.

Në krahun tjetër, Greqia është vendi që kryeson Europën për shpenzimet e larta, me 16.4% të PBB-së saj në vitin 20221 e ndjekur nga Italia me 16.3%, Austria me 15%, Franca me 14.9%, Portugalia me 14.2% dhe Spanja me 13.9%.


Siç vërehet nga grafiku i mëposhtëm, vendet që kanë popullsi të plakur kanë shpenzimet më të larta për pensionet në raport me PBB-në.

Në vitin 2021, pak më shumë se një e katërta e popullsisë së BE-së (27,2 %) mori të paktën një pension. Midis shteteve anëtare të BE-së, përqindja e popullsisë që merrte pension ishte më e larta në Sllovaki (33,2%) dhe ishte pak më poshtë se 33,0% në Luksemburg dhe Lituani.

Në të kundërt, pjesa e popullsisë që ishte përfituese e të paktën një pensioni ishte nën 20,0% në Qipro (19,0%) dhe Maltë (19,2%).

Në vendin tonë, qëndrueshmëria financiare e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijon të jetë një sfidë serioze për financat e shtetit, sidomos në kontekstin e prirjeve jo të favorshme demografike dhe të lëvizjes së lirë të forcës punëtore.

Shqipëria ka shpenzime të ulëta për pensione në raport me PBB-së pasi shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në Shqipëri është në nivele të ulëta krahasuar me të vendet e rajonit.

Shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në vend është më pak se 28% të PBB-së dhe mbetet relativisht e ulët në krahasim me atë të vendeve të rajonit, mesatarja e të cilave qëndron rreth nivelit 36% të PBB-së.

Për këtë arsye pensionistet shqiptare në pjesën dërrmuese marrin pagesa shumë më të ulëta se kufiri i varfërisë në Shqipëri (6.7 USD në ditë.

Tranzicioni demografik po ndryshon me shpejtësi strukturën e popullsisë në favor të moshave të vjetra. Shumë shpejt, të moshuarit do të jenë gjenerata e së ardhmes, por mjedisi ekonomik dhe shoqëria nuk po krijojnë me të njëjtën shpejtësi kushtet për të përballuar pasojat e pleqërimit me dinjitet.

Mosha e tretë, që shumë shpejt do të përbëjë 30% të popullsisë, jeton në varfëri dhe me mungesë perspektive për përmirësimin e kushteve financiare në të ardhmen./Monitor