Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka shpërndarë një deklaratë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz, i cili gjatë vizitës së tij në Kosovë dhe Serbi kishte thënë se është e paimagjinueshme që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të Bashkimit Evropian.

Në llogarinë e tij në platformën X, Rohde që kjo deklaratë qëndron ende dhe se rruga drejt kësaj është zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit prej të dy palëve, sa më parë.

“Sa për rikujtim: Lexojeni qëndrimin e qartë të kancelarit Scholz gjatë vizitës së tij në qershor të vitit 2022 në Kosovë e Serbi për normalizim, përfshinë njohjen reciproke. Kjo ende vlen. Rruga është kjo: Zbatimi i plotë i marrëveshjeve të Ohrit dhe Brukselit prej të dy palëve sa më parë”, tha Rohde.

Kujtojmë se gjatë ditës së djeshme, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill, ka thënë se Serbisë nuk do t’i kërkohet njohja de jure e pavarësisë së Kosovës për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.

/KosovaPress/