Në Pojan të Fierit, Festa e Grurit është kthyer në traditë. Në këtë ditë këndohet e kërcehet, ndërsa nuk mungojnë dhe aktivitetet e ndryshme nga gatimet tradicionale dhe deri tek paradat.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga atmosfera e fushave të Pojanit të mbjella me grurë që janë gati për t’u korrur.

“Një ftesë për të shijuar traditën e bukur të festës së grurit në Pojan të Fierit, më 20-21 qershor me një larmishmëri aktivitetesh nga gatimet tradicionale, te paradat, vallet e guidat turistike”, shkroi Rama.

Pojani i Fierit, një nga 100 fshatrat turistike shqiptare, është kthyer vitet e fundit në qendër të festimeve dhe traditës myzeqare. Dita e grurit, mbledh bashkë me qindra banorë, të zonës, ku nuk mungojnë dhe vizitorë vendas dhe të huaj.

Myzeqeja, është një nga zonat më të rëndësishmit për ekonominë bujqësore. Edhe pse në sipërfaqe më të vogla, rrallë gjen familje rurale fierake të mos kultivojë grurë./ata