Profesionistët e lirë zhvilluan sot një protestë përpara Gjykatës Kushtetuese, në Tiranë duke kërkuar shfuqizimin e ligjit për tatimin mbi të ardhurat.
Me sloganin “Mos rri si dele protesto”, organizuesit kanë ftuar bizneset ofrues të shërbimeve profesionale të protestojnë paqësisht para Gjykatës Kushtetuese.
Nga 1 janari 2024, kur ligji i ri nisi zbatimin me profesionet e lira, është paditur 4 herë në Kushtetuese. Seanca e parë për shqyrtimin e padive do të mbahet më 18 Qershor.
Në gjykatën Kushtetuese ligji është ankimuar, fillimisht nga grupi parlamentar i PD-së, IKM dhe IEKA, në një padi masive e organizuar nga avokati Lulzim Alushaj dhe Shoqata e Autoshkollave.
Nga nismëtarët e ankimimeve, më herët është vlerësuar se ligji cenon barazinë mes tatimpaguesve, parimet e shtetit të së drejtës, të sigurisë juridike dhe shkel konkurrencën. Në rast të mos shfuqizimit të tij nga Kushtetuesja nga juristët, kontabilistët dhe ekspertë të tjerë paralajmërohen efekte të menjëhershme që do të ndihen që me rritjen artificiale të tarifave për shërbimet e ofruara nga profesionistët e lirë, evazion, mbyllje të bizneseve dhe emigrim të shtresës së mesme.
Çfarë parashikon ligji?
Zbatimi i ligjit me llogaritjet e këstit të parapagimit të tatimit shkaktoi debate te bizneset e profesioneve të lira, të cilën e konsideruan zbatimin e tij jokorrekt.
Në ligj parashikohet se tatimi 15% për të vetëpunësuarit me të ardhura vjetore deri 10,000,000 lekë në vit llogaritet mbi fitimin, pas zbritjes së shpenzimeve fikse të padeklaruara në kontabilitet në vlerën 30%, duke përfshirë dhe të ardhurat nga paga minimale, ndaj totalit të të ardhurave vjetore. Ligji parashikon përzgjedhjen e regjimit të veçantë të zbritjes së shpenzimeve 30% nga biznesi ose opsionin e zgjedhjes së deklarimit të tyre me kontabilitet.
Ndërsa kategoria tjetër e bizneseve që përfshihen në të ardhurat vjetore mbi 14 milionë lekë kanë detyrimin e deklarimit të shpenzimeve vjetore pranë administratës tatimore, ndryshe nga fashë e parë që u njihen shpenzime fikse apo të pa mbajtura në kontabilitet në masën 30%. Pas zbritjes së shpenzimeve të deklaruara në administratën tatimore fitimi i kësaj kategorie do të tatohet me normën tatimore 23%.
Ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u miratua në muajin mars 2023 nga Parlamenti. Në muajin dhjetor u botua në Fletoren Zyrtare vendimi i miratuar nga Këshilli i Ministrave me listën për shërbimet e profesioneve të lira, duke përfshirë 180 profesione. Po në muajin dhjetor, për shkak të mosarritjes së realizimit të formularit të ri të deklarimit të të ardhurave dhe shpenzimeve, hyri në fuqi Akti Normativ që përcaktonte se deklarimet do të bëhen me modelin e vjetër të formularit, por profesionet e lira, do të tatohen sipas normave të reja tatimore që nisën zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.
Rishikimi i llogaritjes së kësteve
Pas debateve të shumta që shkaktoi moszbatimi korrekt i ligjit “Për tatimin mbi të ardhurat”, administrata tatimore rishikoi më 28 maj me ulje këstet e parapagimit të tatimit për profesionet e lira. Në njoftimet e dërguara që më 28 Maj nga Drejtoria Rajonale e Tiranës, rezulton se për llogaritjen e tatimit për muajin Maj dhe muajt qershor-dhjetor, janë zbritur shpenzimet 30%, të parashikuar në ligj për të vetëpunësuarit me xhiro deri 10 milionë lekë. Pas korrigjimit kësti i parapagimit për muajin Prill ka mbetur i pandryshuar. Ndërsa detyrimi për muajin Maj dhe muajt e tjerë është 30% më i ulët./ata