Në Kuvendin e Shqipërisë është konstituar këtë të premte Komisioni i Posaçëm Parlamentar “Per thellimin e reformave per mireqeverisjen, studimin e ligjit dhe antikorrupsionit per Shqiperine 2030 ne Bashkimin Evropian”.

Në punimet e komisionit nuk ishte e pranishme opozita. Kryetari i Komisionit të Posaçëm për Mirëqeverisjen dhe Antikorrupsionin, deputeti i Partisë Socialiste Fatmir Xhafaj, tha se ky komision është në funksion të integrimit të vendit në Bashkimin Evropian brenda vitit 2030. Xhafaj u shpreh i keqardhur për mungesën e opozitës, ndërsa kujtoi se një gjë e ngjashme ka ndodhur edhe në vitin 2014 për sa i takon Reformës në Drejtësi. Asokohe, tha Xhafaj, koha dëshmoi se opozita gaboi duke bojkotuar komisionin.

“Vendimi i Kuvendit për ngritjen e këtij komisioni të posaçëm parlamentar ishte i qartë. Përgjegjësia jonë është e qartë, ne duhet të adresojmë disa sfida të rëndësishme në interes të qytetarëve dhe në funksion të integrimit në BE dhe me synimin për ta pasur Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në BE”, tha Xhafaj.

“Ky duhet të jetë një proces gjithëpërfshirës në rrafshin politik, institucional dhe social. Në këtë kontekst, roli i opozitës është tejet i rëndësishëm. Pjesëmarrja e saj në këtë proces është me rëndësi për qëllimin që do të adresojë kjo reformë. Jam i keqardhur që opozita nuk i është përgjigjur pozitivisht kësaj ftese për bashkëpunim, këtij detyrimi të përbashkët për pjesëmarrje dhe angazhim në këtë komision”, evidentoi Xhafaj.

Sipas ish-ministrit të Brendshëm, “ky komision do të adresojë çështje jetike për qytetarët e këtij vendi, që shkojnë përtej partive tona”.

“Për fat të keq, kjo situatë e sotme më sjell në kujtesë një situatë të ngjashme kur filloi veprimin në vitin 2014 komisioni i posaçëm për Reformën në Drejtësi. Edhe asokohe opozita, në vitin 2014, edhe pse kishte votuar ngritjen e atij komisioni, nuk mori pjesë në mbledhjen e parë dhe të konstituimit të komisionit. Mungoi edhe në disa mbledhje në vijim, por më pas mori pjesë. Koha tregoi se opozita gaboi, shpresoj që kjo gjë të mos përsëritet dhe uroj që ta kemi sa më shpejt opozitën mes nesh”, tha Xhafaj.

“Në zbatim të detyrimeve që vijnë nga Kushtetuta dhe vendimet e Kuvendit, procesi do të duhet të ecë përpara, duke qenë gjithëpërfshirës, transparent, institucional, me përfshirjen e të gjithë aktorëve dhe faktorëve, duke përfshirë biznesin, botën akademike, grupet e interesit, siç ndodhi me reformën në drejtësi. Kjo mbledhje është hapi i parë, i natyrës formale, përgatitore, si mbledhje detyruese për ne. Unë besoj fort se kur ne të marrim vendimet e para, të ecim me hapat e parë, do t’ju japim përgjigjen e duhur, të gjithë atyre që kanë spekuluar me apo pa qëllim, me dashje apo pa dashje, lidhur me qëllimin e këtij komisioni. Deri atëherë do duhet të punojmë fort, shumë fort dhe të ecim përpara”, përfundoi fjalën e tij Xhafaj.

Kuvendi miratoi në 30 maj me 74 vota pro dhe 6 kundër projektvendimin “Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian”. Ky komision synon thellimin e luftës kundër korrupsionit dhe forcimin e mëtejshëm i zbatimit të ligjit, duke pasur si udhërrëfyes gjetjet dhe rekomandimet e raporteve të Bashkimit Evropian dhe raportit Screening të Komisionit Evropian për grupkapitullin e parë, si dhe adresimin e masave të udhërrëfyesve të miratuar nga qeveria “Për shtetin e së drejtës” dhe “Reformën në administratën publike””.

Komisioni i Posaçëm ka për objekt hartimin dhe miratimin e një Plani Kombëtar Veprimi, me kohështrirje afatgjatë dhe të qëndrueshme për adresimin e sfidave përkatëse në këto fusha, duke rekomanduar edhe masa konkrete për ndryshime të mundshme ligjore dhe institucionale, të cilat duhet të adresohen në secilën fushë nga institucionet përgjegjëse./ata