Koreja e Veriut e quajti veprim "absurd" mbajtjen e samitit të paqes për Ukrainën në Zvicër pa pjesëmarrjen e Rusisë.

Pheniani tha se duke përjashtuar Rusinë, samiti i kësaj fundjave përbën një "mbledhje konspirative nën pretekstin e paqes", raportoi agjencia shtetërore e lajmeve e Koresë së Veriut, KCNA.

"Ideja për të diskutuar çështjen e Ukrainës pa përfshirë Rusinë, një palë kyç në konflikt, është absurde", tha Pheniani, sipas KCNA-së, pa dhënë ndonjë atribut më specifik.

Kina gjithashtu ka hequr dorë nga pjesëmarrja në samit, duke thënë se nuk i ka përmbushur pritjet e saj.

"Është e natyrshme që komuniteti ndërkombëtar të dënojë këtë takim konspirativ, i cili mbahet nën maskën e paqes, por që synon të nxisë konfliktin dhe luftën", tha Pheniani, duke akuzuar SHBA-në se po përdor samitin për të "nxitur luftë dhe konfrontim".

Ndërsa lufta, tani në vitin e saj të tretë, po vazhdon, Koreja e Veriut është afruar më shumë me Rusinë dhe ka mbështetur anën e saj në luftë. Kritikat për samitin e paqes vijnë në mes të raportimeve se presidenti rus, Vladimir Putin mund të vizitojë Korenë e Veriut "pas pak ditësh"./aa