Komisioneri i Përgjithshëm i Agjencisë së OKB-së për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA), Philippe Lazzarini paralajmëroi se nëse nuk arrihet armëpushim në Rripin e Gazës, i cili është nën sulmet izraelite do të zhduket një brez.
Lazzarini në deklaratën e tij në X tha se fëmijët janë të parët dhe më të vuajturit në konflikte dhe luftëra. Ai tha se situata në Gaza nuk është ndryshe.
Duke theksuar se fëmijët po përjetojnë gjëra që asnjë fëmijë në asnjë vend në botë nuk duhet t'i shohë apo përjetojë, Lazzarini tha se shumë njerëz humbën jetën dhe u plagosën ndërsa të mbijetuarit përjetuan trauma të thella.
Ai tha se si rezultat i sulmeve izraelite, shkollat ​​e fëmijëve u shkatërruan dhe ata humbën një vit të tërë shkollor pa arsim dhe lojëra.
"Sulmet ua kanë grabitur fëmijëve fëmijërinë në Gaza", u shpreh Lazzarini duke bërë thirrje për armëpushim. Ai paralajmëroi se nëse nuk ka armëpushim në Gaza, do të humbet një brez.
Në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori janë vrarë 37.232 palestinezë, mes të cilëve të paktën 15.517 fëmijë dhe 10.279 gra ndërsa 85.037 persona u plagosën.
Raportohet se ende ka mijëra të vdekur nën rrënoja, infrastruktura civile po shkatërrohet duke synuar spitalet dhe institucionet arsimore ku njerëzit ishin strehuar./aa