Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, në fjalimin e tij drejtuar liderëve në Samitin e G7-ës të organizuar nga Italia, kërkoi nga liderët përgatitjen e një plani të ngjashëm me "Planin Marshall" për zhvillimin e Ukrainës.

Në fjalimin e tij në Samitin e 50-të të Liderëve të G7 të mbajtur në Borgo Egnazia të Italisë, Zelenskyy bëri vlerësime për luftën Rusi-Ukrainë dhe nevojat e Ukrainës.

Ai tha se Samiti i G7-ës është një takim global që bashkon rajone të ndryshme të botës. Zelenskyy theksoi se "Vetëm veprimet e përbashkëta të shumicës së botës mund të kapërcejnë problemet".

Duke folur për rëndësinë që hapësira ajrore e Ukrainës të bëhet më e sigurt në luftën që vazhdon në vendin e tij, Zelenskyy vuri në dukje se ata kanë nevojë për sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore "Patriot".

"Aftësia e Ukrainës për të mbrojtur Kharkivin dhe qytetet e tjera është rritur me lejen e dhënë së fundmi për të përdorur jashtë kufijve të vendit armët perëndimore që i janë dorëzuar ushtrisë ukrainase. Megjithatë, nevojiten më shumë sisteme 'Patriot'", tha presidenti ukrainas.

- Thirrje për të përshpejtuar kalimin e ushtrisë ukrainase në F-16

Zelenskyy kërkon mbështetje nga aleatët në përshpejtimin e procesit të përdorimit të avionëve luftarakë F-16 nga ushtria ukrainase.

"Unë ju kërkoj të bëni më të mundurën tuaj për të përshpejtuar kalimin tonë në F-16. Kjo do të thotë përshpejtim i trajnimit të pilotëve (ukrainas) dhe rritje të numrit të qendrave të trajnimit të pilotëve", tha ai.

- Kemi nevojë për një plan të ngjashëm me "Planin Marshall" për Ukrainën

Zelenskyy rikujton se në Berlin u mbajt "Konferenca e Rimëkëmbjes së Ukrainës 2024" për të ofruar mbështetje për zhvillimin dhe ndërtimin e vendit të tij të prekur nga lufta.

Ai vlerëson se një plan i ngjashëm me "Planin Marshall" të krijuar pas Luftës së Dytë Botërore dhe i aftë për të përmbushur nevojat e sotme, duhet të përgatitet për zhvillimin e Ukrainës.

"Miq, ejani të përgatisim së bashku një plan të tillë rimëkëmbjeje dhe ta konfirmojmë me një deklaratë të përbashkët të G7+, me një deklaratë rimëkëmbjeje. Kjo në të njëjtën kohë do të jetë edhe një deklaratë paqeje, sepse falë restaurimit, njerëzit do të shohin që vërtet do të ketë paqe, që ne besojmë në të dhe se ne kujdesemi për paqen po aq sa për mbrojtjen", potencoi Zelenskyy.

Presidenti ukrainas tha se ata mund të punojnë për planin dhe ta paraqesin atë në Samitin e NATO-s që do të mbahet në Washington.

Ai foli edhe për çështjen e lejimit të Ukrainës për të përdorur asetet e ngrira ruse dhe shtoi më tej se ka kërkuar mbështetje nga liderët. "Ju dhe unë të gjithë e kuptojmë se do të ishte e drejtë që dëmi i shkaktuar nga lufta ruse, të paguhet nga ana e Rusisë", tha Zelenskyy./aa