Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci njoftoi se situata me zjarrin e madh që përfshiu tregun e rrobave të përdorura dhe shkrumboi banesën pranë, tashmë është vënë nën kontroll.

Ai tha se zjarrfikësit të ndihmuar edhe nga forcat e ardhura nga Ulqini dhe Tivari, Lezha e Malësia e Madhe, kanë bërë të mundur vënien e flakëve në kontroll.

 

“Eshtë stabilizuar situata. Ka një orë e gjysmë që është një luftë e vërtetë. Tani mendoj se nuk ka më ndonjë rrezik. E gjithë situata ka qenë shumë e rëndë. Lajmi mirë që s’kemi pasur dëm në njerëz dhe që se zjarri tani është nën kontroll”, tha ai.

Një zjarr masiv përfshiu këtë pasdite tregun e rrobave të përdorura në Shkodër.

Flakët që shkrumbuan të gjithë tregun, përfshinë edhe një banesë aty pranë, ndërsa mund të djegin edhe shtëpi të tjera në zonë, duke rrezikuar jetën e banorëve.

Vetë qytetarët, kanë ndërhyrë mes flakëve dhe shtëllungave të mëdha të tymit, për të shpëtuar njëri-tjetrin nga zjarri shkatërrimtar, ndërsa forcat zjarrfikëse, që mbërritën menjëherë në vendngjarje po punojnë për neutralizimin e flakëve./ata