Samiti për paqen në Ukrainë do të nis në Burgenstock të Zvicrës me pjesëmarrjen e 100 shteteve dhe organizatave nga e gjithë bota.

Megjithëse sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës samiti dy-ditor synon “të zhvillojë një kuptim të përbashkët të një rruge drejt një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, mungesa e Rusisë krijon një pikëpyetje se si është e mundur të arrihet një rrugë për paqen pa mos pasur një nga palët në tavolinë.

Ministri zviceran i Punëve të Jashtme, Ignazio Cassis, para samitit tha se paqja nuk është e arritshme në mungesë të Moskës.

“Unë kam qenë shumë i qartë që në fillim. Nuk mund të ketë një proces paqeje pa Rusinë. Ne duhet ta themi këtë shumë qartë”, tha Cassis.

Nuk është e qartë sa do të pasqyrohen ato vërejtje në deklaratën përfundimtare të mundshme pas diskutimeve, por sipas një projekt-dokumenti që qarkullon në media, mund të thuhet se negociatat e ardhshme të paqes duhet të përfshijnë “përfaqësues të të të gjitha palëve”.

Agjenda kryesore

Samiti do të bazohet në diskutime të tilla si formula e paqes në Ukrainë, së bashku me propozime të tjera të fokusuara në zbatimin e parimeve kryesore të së drejtës ndërkombëtare.

Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës, “objektivi kryesor” i samitit është të frymëzojë një proces të ardhshëm paqeje.

Për ta arritur atë, samiti synon jo vetëm të sigurojë një platformë për dialog mbi mënyrat drejt një paqeje "gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të qëndrueshme" për Ukrainën bazuar në të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së, por gjithashtu synon të promovojë një kuptim të përbashkët të një kuadri të mundshëm për të arritur këtë qëllim dhe të përcaktojë një udhërrëfyes se si të përfshihen të dyja palët në një proces të ardhshëm paqeje.

Siguria bërthamore, siguria ushqimore dhe çështjet humanitare, si gjendja e të burgosurve të luftës dhe të burgosurve civilë, do të jenë ndër pikat që do të diskutohen.

Presidentja zvicerane, Viola Amherd, do të flasë për mediat me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, para fillimit të samitit.

Pjesëmarrësit

Në përputhje me kërkesën e Ukrainës, Zvicra ka bërë një ftesë për më shumë se 160 delegacione ndërkombëtare për të marrë pjesë në samit.

Ministria zvicerane njoftoi të premten se 100 prej tyre, 92 shtete duke përfshirë 57 krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe tetë organizata ndërkombëtare do të marrin pjesë.

Zv/presidentja e SHBA-së, Kamala Harris, presidenti francez, Emmanuel Macron dhe liderët e Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Spanjës, Kanadasë dhe Japonisë janë ndër ata që do të marrin pjesë. Türkiye gjithashtu do të jetë e pranishme me pjesëmarrjen e ministrit të jashtëm.

Edhe pse Moska tregoi një mos interesim të qartë që nga shpallja e samitit, duke kritikuar neutralitetin e Zvicrës, Rusia nuk mori një ftesë zyrtare.

"Rusia ka treguar shumë herë se nuk ka interes të marrë pjesë. Prandaj, Rusisë nuk i është bërë asnjë ftesë zyrtare", tha ministria duke shpjeguar situatën.

Kina gjithashtu nuk po merr pjesë pasi vuri në dyshim se sa efektiv mund të jetë samiti në krijimin e themeleve për një proces paqeje në mungesë të Rusisë.

Siguria

Sipas Ministrisë zvicerane, vendi ka ndarë rreth dy të tretat e kufirit buxhetor prej 10-15 milionë CHF (11.2-16.8 milionë dollarë).

Forcat e Armatosura Zvicerane po mbështesin masat e sigurisë për samitin duke vendosur një personel ushtarak deri në 4 mijë persona për të ofruar shërbime të ndihmës.

Sipas ministrisë, ata do të mbrojnë infrastrukturën kritike, do të ofrojnë transport ajror, zbulim ajror, operacione ajrore, do të kryejnë mbikëqyrje dhe ndërhyrje në liqene, si dhe mbështetje logjistike dhe komanduese.

Sipas Këshillit Federal, gjitashtu do të ketë kufizime të përkohshme në hapësirën ajrore në zonën e Burgenstock-it. Kjo masë është marrë për shkak të numrit të të ftuarve të pritshëm të nivelit të lartë./aa