Kryeministri Edi Rama vlerësoi se kapitali njerëzor në fushën e shëndetësisë, teksa tha se ka arsye të jemi krenarë për punën e Universitetit të Mjekësisë dhe punën e trupës pedagogjike duke nisur nga provimet deri te specializimet.

 

”Kushtet kur një garë shumë frenetikë ndërkombëtare ka hyrë në një fazë shumë të ethshme për të garantuar në të gjitha vendet kapitalin njerëzor në funksion të shëndetit bëhet edhe më sfiduese për ne që të jemi konkurrues dhe në lartësinë jo vetëm të sfidave të brendshme po edhe kësaj sfide ndërkombëtare, sepse të gjitha vendet duke nisur nga ato më të zhvilluarat kanë hyrë në një fazë ku nevoja për të siguruar personel dhe kujdes shëndetësor po bëhet gjithmonë e më therëse edhe si rezultat i plakjes së popullsisë dhe rritjes së kërkesës për kujdes shëndetësor”, u shpreh Kryeministri Rama gjatë Kongresit për Shëndetësinë që nisi sot punimet në Tiranë.

 

Nga ana tjetër, vijoi Rama, “ne e dimë shumë mirë se nga vijmë dhe e dimë ku duam të shkojmë, ndaj jemi të detyruar të shtyjmë shumë fort përpara”. Rama tha se fliste për politikbërësit në funksion të fuqizimit dhe garantimit të këtij kapital njerëzor.

 

“Ky kapital ka nevojë për arsimim, edukim, punësim sipas meritës dhe kushte pune dhe pagë dinjitoze. Nëse marrim arsimimin, mund të themi se kemi ecur në mënyrë pozitive përpara. Sot kemi një sistem të arsimimit të bluzave të bardha, i cili në një farë mënyre e ka marrë vulën e cilësisë nga fakti që të arsimuarit mirëpriten me krahë hapur edhe në vende më të zhvilluara, pavarësisht se edhe aty do të kalojnë në një sërë procesesh konvertimesh. Kjo është në nderin e mjekëve dhe infermierëve, por është një problem më shumë për ne”, tha ai.

 

Sidoqoftë,e vijoi fjalën Kryeministri, “kur vjen puna te arsimimi, kemi arsye të jemi krenar për punën e Universitetit të Mjekësisë dhe punën e trupës pedagogjike, duke nisur nga provimet te specializimet.

 

“Sot ne jemi para një problemi që duhet ta adresojmë dhe zgjidhim në mënyrë të ndershme. Arsyeja pse shtetet financojnë dhe investojnë me të gjitha mënyrat e mundshme për ta bërë sa më të lehtë procesin e studimeve dhe formimit të mjekëve dhe infermierëve është për të garantuar shëndetin e popullit të tyre. Në kushtet e sotme, rezulton e pamundur që shteti shqiptar, taksa paguesit shqiptar mundësitë e të cilëve nuk janë të pakufizuara ndërkohë nevoja për të dhënë shërbimin si kudo tjetër nuk mund të vihet në diskutim të paguajmë 15 nga 16 pjesë të financimit të studimit të një mjeku”, u shpreh Kryeministri Rama.

 

Pra, tha ai, sot student i mjekësisë paguan 1/16 e kostos reale dhe këtë shteti e bën duke marrë në konsideratë një sërë faktorësh.

 

“Ama shteti nuk e bën këtë dhe taksapaguesit shqiptar nuk paguajnë për këtë, që ditën që ata mbarojnë studimet dhe marrin diplomën e mjekut, ata që financohen nga ky buxhet dhe nga kjo sakrificë të ikin të shërbejnë në Gjermani. Shtetit shqiptar nuk financon studimet për sistemin shëndetësor gjerman. Dhe ky është një problem që shumë vende e kanë adresuar dhe ka ardhur koha ta adresojmë edhe ne”, deklaroi Rama./ATSH