Lulzim Basha u shpreh sot në një intervistë për Zërin e Amerikës se, “nuk kemi betejë për karrige apo vulë, por për Shqipërinë”.
I pyetur për vendimin e Gjykatës së Apelit dhe për të ardhmen e tij politike, Basha u shpreh se, “nuk e shoh njëherë në këndvështrimin personal, apo thjesht të forcës politike që kam drejtuar deri të martën dhe bashkimin e njerëzve që vazhdojnë të shpresojnë për një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri që meriton më shumë. Këtu është fokusi im, këtu është fokusi që na rrethojnë, na mbështesin. Sepse vendimi i të martës, përpos në këndvështrimin tonë, edhe profesional është i padrejtë. Dhe kjo është arsyeja se pse ne do të bëjmë rekurs në Gjykatën e Lartë. Është një vendim në vazhdën e një bashkëjetese midis kryeministrit dhe ish-kryeministrit, ku thelbi është t’i mohojnë shqiptarëve një alternativë një shpresë, për të dalë nga kjo gjendje”.
“Ndaj, detyrimi ynë kryesor është ndaj shqiptarëve dhe për shqiptarët të cilët meritojnë më shumë sesa të zgjedhin midis kryeministrit dhe ish-kryeministrit me sentencën ‘kush është më pak i korruptuar’ dhe të kenë një alternativë të plotë”, tha Basha.
“Për fat, vetëm dy javë më parë është shpalosur me të 5 komponetët e saj, me familjen shqiptare në qendër, të gjithë propozimet tona për fondin për mirëqenien e familjes, me propozimet tona për ekonominë e shqiptarëve, për taksën e sheshtë, për thjeshtimin e burokracive, për krijimin e një klime biznesi miqësore për bizneset shqiptare që do të nxisin punësimin dhe të ardhurat më të larta për shqiptarët. Me propozimet tona për të përndjekurit politikë dhe pronarët, duke e kthyer Partinë Demokratike për herë të parë në 34 vite tek premtimet e pambushura me të cilat nisi rrugëtimin e saj”, theksoi Basha.
“Tek siguria nga propozimet tona për xhandarmërinë kombëtare dhe për një qasje të re ndaj Forcave të Armatosura dhe natyrisht tek lufta kundër korrupsionit ku angazhimi ynë me mbështetje ndaj drejtësisë, në veçanti ndaj SPAK-ut, mbetet i palëkundur. Siç janë propozimet tona ndaj njësisë të zbulimit dhe rikuperimit ndaj aseteve dhe pasurive të vjedhura të shqiptarëve dhe shndërrimin e KLSH-së në një gjykatë me forcë vendimmarrëse”, tha Basha.
“Alternativa është shpalosur. Zoti Rama nuk do që kjo alterantivë të diskutohet, ai do që zgjedhjet e ardhshme t’i bëjë me ‘gogolin’ Sali Berisha para socialistëve të mërzitur e të mllefosur me qeverisjen e tij të korruptuar. Zoti Berisha mjaftohet me vulën e Partisë Demokratike. As unë e as mbështetësit tanë nuk e kanë bërë kurrë këtë betejë për vulë, për logo, për karrige, për Shqipërinë dhe për shqiptarët, sepse besojmë që Shqipëria meriton më shumë dhe jemi të gatshëm t’i ofrojmë më shumë sesa ç’ofron tangoja e kryeministrit dhe is-kryeministrit”, theksoi Basha.
Basha shtoi se, PD nuk vjen në pushtet pa një aleancë të ngushtë me SHBA.
“Hipokritët kanë vënë shishen e qumështit në radhë, në pritje të fundit të Berishës”, nënvizoi Basha.
“Po këto janë pa diskutim evidente, siç është evident dhe dëshira, plani i Ramës që kjo të jetë fushata e ardhshme, sepse me këtë fushatë dihet rezultati. Sali Berisha është ‘gogoli’, shqiptarëve u paraqitet alternativa se cili është më pak i korruptuar dhe natyrisht edhe me truket që Edi Rama ka bërë vazhdimisht në zgjedhje, dihet rezultati. Kundër kësaj status quo-je qëndrojmë ne. Ne nuk e pranojmë këtë gjendje, ne nuk e pranojmë këtë Shqipëri pa alternativë me shqiptarë kokulur që trajtohen si konsumatorë mjeranë të një pushteti dual, i cili vazhdon të hedhë valle, të pasurohet, të pushtetohet më shumë, ndërkohë që vendi zbrazet. Për këtë arsye ajo që kemi marrë përsipër nuk është një llogaritje e vogël teknikalitetesh jo të parëndësishme. Por është një mision, e kemi nisur këtë si një mision, sepse po ta kishim nisur për pragmatizëm, do kishim marrë rrugën e atyre hipokritëve që shkojnë te Sali Berisha dhe thonë “rroftë Sali Berisha, Sali Berisha duhet të jetë kryeministër”, ndërkohë sapo ndahen thonë që me këtë nuk vihet në pushtet dhe hajde t’i vëmë shishen ku t’i shkasë këmba. Por kjo është një hipokrizi, një llogari meskine personale karakteresh të deformuara politikisht. Dhe këta janë tradhtarët e vërtetë të interesit të demokratëve dhe të interesit të qytetarëve shqiptarë. Ndërsa ne qëndrojmë ballëlartë, betejën e kemi bërë për kauza parimore. E kemi bërë sepse besojmë që një Parti Demokratike pa një aleancë të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian, nuk mund të vijë në pushtet. Ne besojmëe që Edi Rama të mundet, nuk mjaftojnë klithmat e denoncimeve, në veçanti kur hollohen nga hijet e pazareve, por duhet një alternativë e besueshme që u ofron shqiptarëve zgjidhje dhe që rikthen Partinë Demokratike në alternativë të së djathtës në Shqipëri. Me familjen, me ekonominë, me luftën kundër korrupsionit, me pronat dhe të përndjekurit dhe natyrisht me sigurinë kombëtare në këto kohë në qendër të programit dhe që është pikërisht programi që ne u ofrojmë shqiptarëve”, tha Basha.
Basha shtoi se, nuk do të ketë asnjë bashkëpunim me hijet e së shkuarës që janë kthyer në simbole të korrupsionit.
“Shumë prej tyre u afruan, por një pjesë nuk u afruan, sepse panë atë që ne refuzuam ta shikonim deri në shpalosjen e ngjarjeve të viteve të fundit. Panë një mungesë sinqeriteti, panë një dyfytyrësi, në diçka që premtohej dhe diçka tjetër bëhej. Panë një dualizëm që tjetër gjë thuaj dhe tjetër gjë bëhej. Të tjera grupe interesi ju premtohej mbështetje dhe përfaqësues të të tjerëve, si me thënë merrnin pushtet. Premtohej qëndrim pa kompromis dhe ndërkohë bëhej kompromis me kompromisaxhinjtë e Edi Ramës. Padiskutim që kjo kohë ka marrë fund dhe duhet të marrë fund për çdo demokrat të vërtetë dhe për çdo shqiptar. Dhe këtu qëllimi ynë është i qartë, largimi me çdo kusht i Edi Ramës dhe qeverisjes së tij të korruptuar, vjen vetëm përmes një përkushtimi të ri dhe të panjohur. Prandaj kam përjashtuar si jologjike çdo formë bashkëpunimi me hijet e së shkuarës, që vetëm janë kthyer në simbole korrupsioni dhe nuk mund të jenë kamardare shpëtimi as për Partinë Demokratike dhe as për shqiptarët”, tha Basha./ata