Pesha e punës së paguar me pagë minimale në Shqipëri po rritet me ritme të shpejta, përkundrejt pritshmërive që pozitat e punës së mirë-paguar duhet të rriten në kushtet e mungesës së punonjësve dhe rritjes së inflacionit. Për periudhën janar-mars 2024 është shtuar me 10.8% numri i punonjësve që marrin rroga deri në 50 mijë lekë.

Bazuar në statistikat e INSTAT, 25.8% e të punësuarve në vend ose përafërsisht 341 mijë persona paguhen 40 mijë lekë në muaj, nga 21.6% (afro 285 mijë) që ishte në tremujorin e parë të vitit të kaluar.

Po ashtu është rritur me 6.6% numri i punëmarrësve që paguhen nga 40-50 mijë lekë në muaj. Nëse vjet në tremujorin e parë këtë pagë e kishin përafërsisht 177 mijë punonjës, këtë vit numri është rritur në rreth 265 mijë.

Praktikisht sipas përllogaritjeve 55.2% e të punësuarve në vend, kanë rroga deri në 60 mijë lekë, pra që nuk arrijnë kufirin mesatar të pagave në Shqipëri që është 73.6 mijë lekë. Mungesa e pasqyrimit të një rritje të fortë të rrogave, sipas ekspertëve lidhet me informalitetin në tregun e punës, ku qindra subjekte nuk i deklarojnë pagat reale të punonjësve.

Më pas janë 27% e totalit të të punësuarve në vend që kanë paga në vlerat mbi 60 mijë lekë deri në 95 mijë lekë. Mbi këtë vlerë deri në 120 mijë lekë marrin vetëm 7.9% e të punësuarve, kurse rroga mbi 120 mijë lekë marrin vetëm 9.9% e shqiptarëve që janë në punë.

INSTAT raporton se në raport me tremujorin e parë të vitit të kaluar rroga mesatare është rritur me 8.9 mijë lekë, e udhëhequr kryesisht nga sektori publik, si rezultat edhe i reformës së rritjes së pagave nga qeveria. Në këtë periudhë është thelluar edhe diferenca e pagave privat-shtet, pasi rroga mesatare në privat përllogaritet në 68.6 mijë lekë nga 84.9 mijë lekë që është në shtet.

PAGA MINIMALE DERI 40 MIJË LEKË

Janar-Mars 2023         21.6% e të punësuarve

Janar-Mars 2024         25.8% e të punësuarve

 

PAGA 40.001-50.000 LEKË

Janar-Mars 2023          13.4% e të punësuarve

Janar-Mars 2024            20% e të punësuarve

 

PAGA 50.001- 60.000 LEKË

Janar-Mars 2023               9% e të punësuarve

Janar-Mars 2024            9.4% e të punësuarve

 

PAGA MBI 60 MIJË LEKË

Paga 60.001-95.000                   27% e të punësuarve

Paga 95.001-120.000 lekë        7.9% e të punësuarve

Paga mbi 120                            9.9% e të punësuarve

Shqiptarja.com

*Shënim:

Për të përllogaritur se sa punonjës kanë marrin X pagë në janar-mars 2024, janë marrë në referencë shifrat e punësimit të fundit të vitit 2023, për shkak se INSTAT ka shtyrë pa afat publikimet për statistikat e punësimit të tremujorit të parë, për arsye metodologjike, që mund të lidhen edhe me publikimin e të dhënave të CENS-it të popullsisë dhe banesave që publikohet në 28 qershor, ku do të jepet i saktë numri i popullsisë, i të punësuarve dhe papunëve.