Turqia është një partner i rëndësishëm i Shqipërisë në tregtinë ndërkombëtare.

 

Instituti i Statistikave publikoi së fundmi raportin mbi tregtinë e jashtme për periudhën janar-korrik, sipas të cilit Turqia renditet partneri i tretë tregtar, duke zënë 6.8 % të vëllimit.

 

Shkëmbimet tregtare me Turqinë në 7-mujorin e këtij viti, kanë arritur 53.3 miliardë lekë.

 

Referuar të dhënave për periudhën janar-korrik eksportet shqiptare drejt Turqisë llogariten 2.3 miliardë lekë nga 3.4 miliardë lekë që ishin në të njëjtën periudhë të vitit 2022, ndërsa importet për periudhën 7-mujore llogariten mbi 53 miliardë lekë.

 

Nga Turqia, janë importuar rreth 12 miliardë lekë materiale ndërtimi dhe metale, si dhe 8.4 miliardë lekë tekstile dhe këpucë. Ndërkohë importi i produkteve kimike dhe plastike llogaritet gati 6.9 miliardë lekë.

 

Produktet më të eksportuara janë mineralet dhe metalet, bimët aromatike e mjekësore, dhe produktet fason.

 

Shqipëria ka një marrëveshje të tregtisë së lirë me Turqinë, të nënshkruar në 2006-n, dhe e cila ka hyrë në fuqi në maj 2008. Nëpërmjet kësaj marrëveshje dy vendeve u krijohen mundësi për rritjen e shkëmbimeve tregtare ndërmjet tyre./ATSH