Gjykata Posaçme e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka rrëzuar kërkesën e ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për ndryshim të masës së sigurisë, duke i lënë në “Arrest në shtëpi”.

Këtë të martë në Apelin e GJKKO u shqyrtuan dy kërkesat e paraqitura nga Malltezi dhe Berisha, të cilët kërkuan lehtësimin e masës së sigurisë të vendosur ndaj tyre nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së parë Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Berisha dhe Malltezi jane nen hetim nga Prokuroria e Posaçme Kunder Krimit te Organizuar dhe Korrupsionit, lidhur me procedurat e ndjekura për privatizimin e kompleksit sportiv “Partizani”, në periudhën kur Berisha mbante pozicionin e kryeministrit. Berisha ndodhet në masë arresti në shtëpi që prej dhjetorit 2023, me dyshimet se bashkë me dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi janë përfshirë në korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”.

Seanca nisi në orën 10:00 dhe togat e zeza fillimisht dëgjuan pretendimet e të dyja palëve. Prokurorët e posaçëm përcollën informacionin dymujor të hetimit dhe kërkuan në gjykatë që të vijojnë hetimet për Berishën dhe Malltezin, nën akuzën e korrupsionit. Prokurorët kërkuan që të vijonte hetimi me masën e sigurisë të arrestit shtëpiak. Avokati i Berishës Genc Gjokuraj kërkoi ndryshimin e masës dhe cilësimin e informacionit dymujor të panevojshëm. Ai kërkoi hetimin në gjendje të lirë të klientit të tij. Po ashtu, e njëjta u kërkua dhe nga mbrojtja ligjore e Malltezit.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi, sot më 18.06.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 130 akti, datë 11.06.2024 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim/ankues Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 245 akti, datë 21.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (me objekt: Informacion dymujor në kuadër të procedimit penal)”, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 245 akti, datë 21.05.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton Apeli.

Ky vendim vështirëson pozicionin e ish-Kryeministrit Berisha, i cili humb mandatin e deputetit në rast se nuk paraqitet në seancën e radhës në Kuvend./ata