Zëvendësguvernatorja e Parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, ndoqi punimet e samitit vjetor të vendeve të rajonit, të mbajtur në Becic, Mal i Zi, ku merrnin pjesë përfaqësues të lartë të bankave qendrore të Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Kosovës, Serbisë, si dhe ministra të financave dhe drejtorë të tatimeve nga këto vende.

Samiti i këtij viti, me temë “Stabiliteti financiar dhe monetar i rajonit në kushtet e rritjes së ulët ekonomike të Eurozonës”, trajtoi zhvillimet më të fundit në ekonomitë e rajonit. Paneli i guvernatorëve, pjesë e të cilit ishte edhe zëvendësguvernatorja Minxhozi, trajtoi temën “Ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe sistemit bankar në kohë pasigurie”.

Minxhozi tha se, Shqipëria ka pasur inflacionin më të ulët krahasuar me vendet e rajonit. Ky tregues shënoi një rënie graduale, por të vazhdueshme gjatë vitit 2023.

“Ai zbriti nga niveli 7.4% në fillim të vitit 2023 në nivelin 4% në fund të tij, dhe në nivelin 2.7% në tremujorin e parë të vitit 2024, i ndikuar nga rënia e inflacionit në tregjet e huaja, nga mbiçmimi i kursit të këmbimit dhe nga normalizimi i qëndrimit të politikës sonë monetare”, tha ajo.

Pavarësisht suksesit relativ në uljen e inflacionit, lufta e bankave qendrore me të nuk duhet të konsiderohet e përfunduar. Që nga fillimi i vitit 2024, këto institucione po shqyrtojnë me kujdes momentin e duhur për të filluar lehtësimin e kushteve monetare; Banka Qendrore Evropiane ka bërë lëvizjen e parë, duke ulur normën bazë të interesit.

Zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi se në këtë situatë duhen mbajtur parasysh rreziqet globale ndaj inflacionit që janë mjaft të rëndësishme për stabilitetin e çmimeve në ekonomitë tona. Gjithashtu theksoi ajo, një grup sfidash me të cilat do të përballet politika monetare lidhet me çështje të tilla si ndryshimet klimatike, inovacionet e teknologjisë financiare dhe ndryshimet demografike.

Në përfundim të fjalës së saj, zëvendësguvernatorja Minxhozi theksoi se mbetet e rëndësishme që politikat monetare të bashkërendohen me politika të kujdesshme fiskale dhe të mbështeten nga reforma strukturore. Në veçanti, prioritetet e reformave strukturore duhet të përfshijnë krijimin e një ambienti sa më stimulues për nxitjen e investimeve të brendshme dhe të huaja, si dhe investimet në kapitalin njerëzor dhe në infrastrukturë./ata