Deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, në një prononcim për mediat, nga hyrja e Gjykatës Kushtetuese, tha sot se taksimi i profesioneve të lira krijon pasiguri dhe trajtim preferencial.
Deklarata e Tabakut vjen në një kohë kur në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet padia e depozituar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, por dhe grupe të shoqërisë civile, me të njëjtin objekt kërkese.
Tabaku u shpreh se taksa ndaj profesioneve të lira do të sjellë edhe rritje çmimesh.
“Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është nisur me premisën për të mbrojtur punën. Koncepti kryesor qe po diskutojmë sot është se duhet të mbrojmë punën dhe shtresën e mesme dhe ato që punojnë. Ligji për Tatimet është ndryshuar 23 herë, ose 2.3 herë në vit, duke krijuar pasiguri nga njëra anë dhe trajtim preferencial për një grup që është duke u hequr nga taksat. Favore fiskale po bëhen për një grup që nuk janë mazhoranca e qytetarëve. 169 profesione të lira, ose 30 000 profesionistë janë duke paguar një trajtim të padrejtë. Efektet e taksës janë dhënë. Janë 11 000 biznese të mbyllura tashmë”, tha Tabaku.
Sipas saj, ky ligj është antikushtetues dhe ka trajtim preferencial. “Do të ketë efekt bumerang të rritjes së çmimeve. Ligji favorizon pakicën dhe godet shumicën. Ky ligj është fytyra e qeverisë, favorizimi i pakicës dhe taksimi i shumicës”, tha Tabaku.
“Kjo shtresë e shoqërisë duhet mbrojtur, duhet të ishte e privilegjuar dhe jo e diskriminuar. Nuk është argument që ka paaftësi në mbledhjen e taksave dhe rritim taksat. 30 000 profesionistët e lirë duhet të kuptojnë që kanë në krah grupin parlamentar të PD. Beteja jonë jo për kortezi, por për të mirën publike. Ne bëjmë maksimumin tonë për të denoncuar atë që është bërë me këtë taksë”, tha ajo./ata