Zonat e tifozëve (”fan zone”) të Euro2024 dhe zonat e shikimit publik në disa qytete pritëse të Gjermanisë, përfshirë vendin e ndeshjes së sotme në Dortmund (Turqi-Gjeorgji), do të mbeten të mbyllura për shkak të një parashikimi për stuhi të forta në këto rajone, thanë autoritetet lokale.
Përveç Dortmundit, vendimi prek edhe kryeqytetin Berlin, si dhe qytetet gjermane perëndimore Dyseldorf, Këln dhe Gelsenkirchen.
Zona e tifozëve në Leipzig, ku do të zhvillohet ndeshja tjetër e ditës mes Portugalisë dhe Republikës Çeke, mbetet e hapur për momentin.
Zyrtarët thanë se nuk ishte plotësisht e qartë nëse stuhitë me erë, shi të dendur dhe breshër do të godasin qytetin lindor, me një vlerësim tjetër që do të vijë më vonë pasdite.
Në Dortmund, mijëra tifozë turq pritej të ndjekin ndeshjen hapëse të kombëtares së tyre kundër Gjeorgjisë në zonën e tifozëve në sheshin ”Friedensplatz” dhe në zonën e shikimit publik në ”Westfalenpark”.
Deri në 80 000 tifozë turq thuhet se janë në Dortmund dhe planifikojnë të mblidhen në zonat e duhura para ndeshjes.
Sipas autoriteteve të qytetit të Dortmundit, ngjarjet e planifikuara me shoqatat e tifozëve të të dy vendeve gjithashtu u anuluan.
“Dortmundi ka pritur me padurim dhe po përgatitet për një festë të madhe tifozësh me dhjetëra mijëra tifozë turq dhe gjeorgjianë në qytet. Megjithatë, siguria e tifozëve në qytetin tonë është prioriteti ynë”, tha Martin Sauer, përfaqësuesi i Dortmundit për Euro2024./ata