Fluksi i lartë i pasagjerëve që po lëvizin përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit ka bërë që të rëndohet trafiku, duke krijuar vonesa të pasagjerëve për të arritur në kohë në aeroport.
Tirana Airport Partners u ka bërë thirrje pasagjerëve që udhëtojnë nga Rinasi të jenë të paktën 3 orë para kohës së nisjes së avionit të tyre.
“Për të siguruar një udhëtim të qetë dhe për të shmangur trafikun e rënduar gjatë këtij sezoni veror, ju lusim të gjithë pasagjerët të mbërrijnë në aeroport të paktën 3 (tre) orë përpara kohës së planifikuar të nisjes. Kjo masë proaktive do të na ndihmojë të mbajmë operacione efikase dhe t’ju ofrojmë një përvojë pa stres”, apelon TIA.
Aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas është tashmë aeroporti me fluksin më të lartë në rajon të pasagjerëve, falë linjave të reja dhe veçanërisht mundësive për lidhje me vende që nuk ishin të lehta e të arritshme më parë.
Autoritetet në vend kanë bërë të ditur se mbi 250 avionë ulen dhe ngrihen në ditë në Aeroportin e Rinasit./ata