Ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi sot në një intervistë në media se vendimi i Gjykatës së Apelit për vulën e PD, ishte skandaloz.
Sipas tij, arsyeja e parë është se la në fuqi vendimin e Zhukrit, gjyqtar ky që është shkarkuar nga vetting-u, dhe e dyta, sepse një grup njerëzisht kontestuan kryetarin në parti, ndërsa kryetari nuk paska të drejtë të përfaqësohet në gjykatë.
Për këtë, tha se do të ndiqet rruga ligjore.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë aty, kanë qenë në tre vitet e fundit në raport me situatën e brendshme të Partisë Demokratike dhe për këtë mjafton njoftimi i përsëritur zyrtar i cili e thotë fare qartë: qëndrimi në raport me zotin Berisha, qëndrimi në raport me ata që bashkëpunojnë me nongratat, mbështetjen ndaj forcave euroatlantike dhe natyrisht që për ta korrupsioni nuk është thjesht një problem, por është një aspekt i sigurisë së tyre kombëtare. Korrupsioni kudo pra, në veçanti në vendet aleate, trajtohet si një problem i sigurisë kombëtare të SHBA”, tha Basha.
Basha komentoi edhe akuzat e bëra nga Berisha ndaj tij pas lënies në fuqi të non gratës nga Britania e Madhe.
Basha tha se as SHBA dhe as Mbretëria e Bashkuar nuk mund të influencohen.
‘As SHBA dhe as Mbretëria e Bashkuar nuk mund të influencohen. Në raste kur influencohen marrin masa siç ishte rasti i Mc Gonigal. Tani Berisha e kthen në një fakt të konfirmuar dhe vazhdon ta mbajë peng një pjesë të opozitës me ankthet e veta personale. Nuk është zgjidhja për të ndihmuar vendin është aset për të mbajt Edi Ramën, e vetmja rrugë që ka është të hedhë një hap pas. Duhet tu ofrohet shqiptarëve një alternativë e plotë dhe jo non grata, nuk ka forcë që të na ndalojë për alternativën tonë”, u shpreh ai.
Basha tha se situata politike është kthyer në trajtat e një loje, ku protagonistët janë kryeministri dhe ish-kryeministri. Sipas tij, kryeministri ndihmon ish-kryeministrin që të jetë faktori kryesor në opozitë dhe kështu Rama qeveris i pashqetësuar.
Më tej Basha tha se qytetarët kanë nevojë për alternativë dhe zgjidhje dhe për këtë programi i PD i shpalosur në 1 qershor, i cili në qendër të tij ka mbështetjen për SPAK dhe drejtësinë./ata