Udhëtimi me anije drejt parkut të vetëm detar kombëtar, Sazan-Karaburun në Vlorë ofron eksperiencë mbresëlënëse për turistët vendas e të huaj.

 

Gjatë këtij sezoni turistik, ky park i cili ofron atraksione të shumta natyrore, kulturore, historike dhe turistike u vizitua nga një numër i lartë turistësh.

 

Kapiteneria e portit të Vlorës bën të ditur për ATSH-në se “në muajt maj-gusht parku u vizitua nga 54 607 turistë vendas e të huaj”.

 

Sipas statistikave të Kapitenerisë së Portit Vlorë operatorët turistikë që zgjodhën të nisen nga Porti i Vlorës drejt destinacioneve atraktive si Karaburuni dhe Sazani, operuan me 15 anije dhe kanë bërë 805 udhëtime në tere muaj.

 

“Udhëtimi me anije drejt Sazan-Karaburun vijon edhe në muajin shtator, por ka një numër më të vogël anijesh”, tha Kapiteneria e Portit të Vlorës.

 

Udhëtimi ma anije iu ofron mundësi reale turistëve për të vizituar parkun dhe ofruar një ditë ndryshe në gjirin e Vlorës.

 

Mjafton këtu të kujtojmë monumentin e natyrës, Shpellën e Haxhi Aliut (atraksioni më i vizituar nga turistët), gjiri natyror dhe kulturor i Gramës (skaji më i largët jugor i parkut detar), ishullin e Sazanit, atraksioni më i madh që prej hapjes së tij për publikun. Për të gjithë ata që dëshirojnë të kalojnë momente relaksi në natyrën dhe qetësinë, parku detar ofron me brigjet e tij të Shën Vasilit, Shën Janit, Gjirit të Djallit, eksperiencë natyrore unike.

 

Ky park është korridori më rëndësishëm i specieve si breshka e detit, foka e Mesdheut, delfinë, si edhe peshkaqenë.

 

Sazani dhe Karaburuni janë kthyer në një nga destinacionet më të preferuara për vizitorët vendas dhe të huaj. I shpallur në vitin 2010 Park Kombëtar Detar, Karaburun-Sazani është i vetmi park detar kombëtar i Shqipërisë./ATSH