SHBA-ja shprehu shqetësim për tensionet në rritje midis Izraelit dhe grupit libanez Hezbollah, duke paralajmëruar kundër një konflikti më të gjerë rajonal.
"Kur bëhet fjalë për situatën përgjatë kufirit Izrael-Liban, fokusi ynë është të punojmë me partnerët në rajon, duke përfshirë Izraelin, padyshim, për të inkurajuar një zgjidhje diplomatike", tha zëdhënësi i Pentagonit, gjeneralmajor Pat Ryder, duke shtuar:
"Unë nuk do të hyj në hipoteza apo spekulime se çfarë mund të ndodhë, përveçse të them se askush nuk dëshiron të shohë një luftë më të gjerë rajonale".
Komentet e tij erdhën menjëherë pasi ushtria izraelite tha se ka miratuar planet për një ofensivë në Liban, ndërsa tensionet vazhdojnë të rriten me Hezbollahun.
Përpos kësaj, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre tha se i dërguari i SHBA-së, Amos Hochstein aktualisht ndodhet në Liban.
"Ai po zhvillon disa diskutime të rëndësishme dhe një pjesë e këtyre diskutimeve, padyshim, kanë të bëjnë me rivendosjen e qetësisë përgjatë Linjës së Kaltër (që ndan Libanin nga Izraeli), që mbetet një prioritet kryesor për SHBA-në dhe duhet të jetë me rëndësi të madhe për të dyja vendet, Libanin dhe Izraelin", tha Jean-Pierre.
Ajo shtoi se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë drejt një zgjidhjeje diplomatike që do të lejojë qytetarët izraelitë dhe libanezë të kthehen në shtëpitë e tyre, të jetojnë në paqe dhe siguri.
Gjatë ditës së djeshme, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se një nga objektivat e SHBA-së që kur shpërtheu lufta Izrael-Hamas më 7 tetor të vitit të kaluar ka qenë parandalimi i përhapjes së konfliktit, përfshirë edhe në veri.
Duke theksuar se askush nuk dëshiron të shohë një përshkallëzim dhe përhapje të konfliktit, Blinken tha: "Unë nuk besoj se këtë e bën Izraeli. Nuk besoj se e bën Hezbollahu. Libani sigurisht që nuk e dëshiron sepse do të vuante më së shumti. Nuk besoj se as Irani e bën këtë".
Tensionet janë rritur përgjatë kufirit të Libanit me Izraelin mes sulmeve ndërkufitare midis Hezbollahut dhe forcave izraelite ndërsa Tel Avivi po vazhdon me ofensivën e tij vdekjeprurëse në Rripin e Gazës, ku ka vrarë më shumë se 37.300 njerëz që nga tetori i kaluar./aa