Këshilli i Ministrave autorizoi sot ministrin e Drejtësisë të negociojë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar “G37 Chambers” për ofrimin e shërbimit të konsulencës për analizimin dhe vlerësimin e të dhënave që duhet të mblidhen nga Ministria e Drejtësisë, me qëllim vlerësimin e fushave të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit.

Po ashtu me subjektin “G37 Chambers” do të negociohet edhe për hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të këtyre rekomandimeve.

Negocimi do të synojë identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale të fushave kryesore që lidhen me luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, pavarësinë dhe përgjegjshmërinë e prokurorëve, si dhe garantimin e të drejtave e të lirive themelore të qytetarëve, në kuadër të rekomandimeve prioritare.

Po ashtu negociimi do të ketë objekt identifikimin dhe analizimin e situatës aktuale mbi politikën penale të ndjekur deri më tani, me fokus krimin e organizuar e antikorrupsionin dhe tendencat e kriminalitetit në vend, duke dhënë edhe rekomandime për vendimmarrjen e ardhshme për politikën penale.

Sipas vendimit do të evidentohet marrja dhe analizimi i të dhënave për vlerësimin e rekomandimeve të dhëna në luftën kundër kriminalitetit, si dhe për vlerësimin e politikës penale, që duhet të hartojë Ministria e Drejtësisë në përmbushje të detyrimit ligjor.

Me subjektin ndërkombëtar do të negociohet edhe mbi identifikimin e kritereve të qarta dhe të matshme të cilat do të shërbejnë si një pikënisje për daljen në konkluzione për rekomandimet që duhet të jepen, bazuar në vlerësimin e problematikave dhe gjetjeve mbi tendencat e kriminalitetit në vend, me fokus krimin e organizuar dhe antikorrupsionin në kategori të ndryshme të marrëdhënieve shoqërore që mbrohen nga Kodi Penal.

Po ashtu do të përgatiten formatet tip platformave apo mjeteve/formave të tjera për mbledhjen e të dhënave dhe informacionit mbi tendencën e kriminalitetit, si dhe mënyrën e zbatimit të rekomandimeve prioritare të cilat do të duhet të identifikohen nga këto të dhëna.

Po ashtu negociimi do të ketë si objekt identifikimin e fushave dhe çështjeve që duhet të shërbejnë si bazë në përgatitjen e rekomandimeve prioritare të ardhshme të Këshillit të Ministrave; si dhe hartimin e metodologjisë për mënyrën e vlerësimit e të ndjekjes në vazhdimësi të zbatimit të rekomandimeve prioritare në luftën kundër kriminalitetit dhe paraqitjen e saj për miratim pranë ministrit të Drejtësisë./ata