Ambasadori gjerman në Tiranë, Karl Bergner takoi sot kryetarin e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi në kuadër të bisedimeve të tij me liderët politikë të qeverisë dhe opozitës.
 
Ambasada e Gjermanisë në Tiranë bëri të ditur se në fokus të takimit ishte diskutimi për zhvillimet e brendshme politike, vijimi i kursit të reformave të Shqipërisë në rrugën drejt BE-së dhe marrëdhëniet dypalëshe mes Gjermanisë dhe Shqipërisë.
 
Ambasadori Bergner theksoi rëndësinë e madhe të një opozite demokratike për zhvillimin e vendit.
 
“Për këtë qëllim, pjesëmarrja paqësore dhe konstruktive në proceset parlamentare është po aq e rëndësishme sa respektimi i të drejtave të pakicave dhe ndarja e pushteteve nga të gjitha palët”, u shpreh ai.
 
Po ashtu, ambasadori Bergner theksoi se forcimi i mëtejshëm i shtetit ligjor dhe lufta kundër korrupsionit, veçanërisht nëpërmjet Prokurorisë së Posaçme SPAK, janë thelbësore jo vetëm për anëtarësimin në BE, por edhe për një të ardhme më të mirë për të rinjtë e të rejat shqiptarë./ata